Arbëri

Kurti: Irlanda mbështetëse e vazhdueshme e Kosovës

Gjatë qëndrimit në Irlandë, kryeministri Albin Kurti është pritur nga homologu Leo Varadkar. Ai ka falënderuar kryeministrin irlandez për përkrahjen aktive ndaj Kosovës, në procesin e integrimeve evropiane dhe në anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës

Përkrahja ndaj Kosovës në procesin e integrimeve dhe bashkëpunimi ekonomik ishte ndër temat kryesore të diskutimit në takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati në Dublin me homologun e Irlandës, Leo Varadkar.

“Temat qendrore në këtë takimin e dytë bilateral, pas atij në Prishtinë, në janar të këtij viti, ishin marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, tregtisë e teknologjisë, dhe zhvillimet rajonale. Bashkë diskutuan për mundësitë e thellimit të tyre në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti në takim pohohet ta ketë falënderuar Varadkarin për mbështetjen e zëshme dhe të vazhdueshme të Irlandës ndaj Kosovës.

“Kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin irlandez Varadkar me zhvillimet e fundit në vend, progresin e shënuar deri më tani dhe ofertën që Kosova paraqet për investime të kompanive irlandeze, me theks në sektorin e teknologjisë. Ai e falënderoi kryeministrin Varadkar për përkrahjen aktive ndaj Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe në anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës”.

Para këtij takimi, Kurti është takuar me ministrin e shtetit për Çështje Evropiane, Peter Burke.

“Marrëdhëniet dypalëshe, integrimi evropian dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës ishin temat kryesore të takimit”, thuhet më njoftimin e Zyrës së Kryeministrit. “Ai foli veçanërisht për reformat demokratike gjatë qeverisjes së deritanishme, rezultatet e të cilave janë mbështetur edhe nga raportet e organizatave të rëndësishme e të besueshme ndërkombëtare, dhe për objektivat e Qeverisë për vitin 2024 në kontekstin e integrimeve evropiane”.

Në takim, sipas njoftimit, theks i veçantë iu dha kërkesës për largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës dhe mundësisë që Plani i Rritjes së BE-së paraqet për secilin nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Qëndrimin në Dublinë, Kurti e ka nisur me një vizitë në Dublin City University, ku u prit nga presidenti i këtij institucioni, Daire Keogh, zëvendëspresidenti për Hulumtim, John Doyle, drejtoresha Ekzekutive për Angazhim të Jashtëm, Laura Mahoney, dekani i Asociuar për Hulumtim në këtë universitet, Gëzim Visoka, si dhe përfaqësues nga Instituti për Zgjidhjen e Konflikteve Ndërkombëtare dhe Rindërtim (IICRR).

Më herët gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Irlandë, Kurti ka takuar edhe një pjesë të mërgatës shqiptare.

“Kryeministri Kurti theksoi se diaspora jonë janë ambasadorët tanë më të mirë, që shpërfaqin atë se çfarë përfaqëson Kosova, vlerat unike dhe zellin e punës. U trajtuan në hollësi programet, planet e objektivat e Qeverisë, të cilat synojnë kthimin e trurit dhe bashkatdhetarëve tanë në atdhe”.

Diaspora ka thënë Kurti ka kontribuar e vijon të kontribuojë për Kosovën, andaj, sipas tij, Qeveria e ka obligim që ta vendosë atë në pozicion më të volitshëm.