Arbëri

S'ka kuorum, Kuvendi s’e voton rezolutën për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet

Descriptive Text

Foto: Arkiv

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës s’e ka votuar rezolutën për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se votimi i kësaj rezolute do të mbahet në një rast tjetër, pasi të enjten numri i deputetëve prezentë në sallë ishte i pamjaftueshëm.

Më herët, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se opozita nuk është duke e bllokuar punën në shëndetësi, por Qeveria është duke dështuar.

Ai ka thënë se mos miratimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore është pikë e zezë e kësaj qeverie.

“Sot, Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme për një temë të jashtëzakonshme. Megjithatë, tendenca e minimizimit të një politike publike është brengë e çdo qytetari dhe çdo subjekti politik. Kapitujt që i trajton kërkesa jonë ndërlidhen me aspektin e infrastrukturës ligjore të shëndetësisë, sfidat që ndërlidhen me resurset njerëzore dhe me financimin e sektorit të shëndetësisë”, ka thënë Tahiri.

Të premten (1 mars) do të mblidhet Kryesia e Kuvendit në orën 11:00. Do të diskutohet mbi pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara plenare./ksp