Arbëri

Konjufca: Serbia e gatshme t’i shtyjë planet e Putinit në rajonin tonë

Kryekuvendi Glauk Konjufca

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se Serbia është e gatshme t’i shtyjë planet e Vladimir Putinit për destabilitet e luftë në rajon.

Duke deklaruar se Kosova ngel në mbështetje të Ukrainës kundër pushtimit rus, në dyvjetorin e nisjes së luftës, Konjufca ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka angazhuar edhe satelitët e ruses në Evropë për të nxitur luftë e përçarje. Këtu ka përmendur edhe Serbinë.

“Në këto dy vite, Rusia e Vladimir Putinit ka bërë çmos për ta pushtuar përfundimisht Ukrainën, duke mos ia dalë, por ka angazhuar edhe satelitët e saj në Evropë për të mbjellë destabilitet, pasiguri, shpërqendrim, luftë dhe përçarje. Me një Serbi të gatshme për t'i shtyrë planet e Putinit në rajonin tonë dhe Evropë, mbështetja dhe angazhimi ynë për fitoren e Ukrainës bëhet edhe më kuptimplotë”, ka shkruar Konjufca në Facebook, në shënimin e dyvjetorit të nisjes së luftës në Ukrainë.

Ai ka thënë se Kosova është krenare që angazhohet në anën e drejtë të historisë “ duke iu bashkuar asistencës dhe solidaritetit të botës demokratike ndaj Ukrainës, që ashtu si ne aspiron integrim në NATO dhe Bashkim Evropian”.