Arbëri

Lajçaku aktivizohet për “muajt e ardhshëm” të dialogut

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë sinjale paralajmëruese për hapat që do të bëhen në këtë proces “në muajt e ardhshëm”.

Në një shkrim në Twitter ai ka njoftuar se është takuar të enjten në Romë me Fabrizio Saggion, këshilltarin e kryeministres Giorgia Meloni, dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme së Italisë, Carlo Lo Cascio.

“Shumë i lumtur që isha në Romë sot. Pata diskutime të rëndësishme me këshilltarin e kryeministres Meloni, Fabrizio Saggio dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm të MPJ-së së Italisë, Carlo Lo Cascio, për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun për normalizim të raporteve në muajt e ardhshëm”, ka shkruar Lajçaku në Twitter.

Ka qenë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, që në urimin e 16-vjetorit të shtetësisë së Kosovës shprehu i pari pritjen që javët e ardhshme të jenë përcaktuese në dialog, duke përfshirë zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas kësaj deklarate, njohës të zhvillimeve kanë paralajmëruar “pranverë vendimtare”.

https://www.koha.net/arberi/409994/droje-nga-pasojat-e-reja-nese-ne-javet-ne-vijim-nuk-zbatohen-marreveshjet/

Takim të nivelit të lartë të dialogut nuk ka pasur që nga shtatori, pak ditë para sulmit terrorist në Banjskë në Zveçan.

E të enjten, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka konfirmuar se Kosovës dhe Serbisë u është dërguar letra me të cilën janë ftuar të shkojnë në Bruksel që në kuadër të dialogut të diskutojnë për zgjidhjen për të tejkaluar problemet të cilat, sipas BE-së, janë shkaktuar me vendime të njëanshme dhe të pa koordinuara të Kosovës. Ky takim është thirrur për 27 shkurt. Por, Stano ka thënë se letra e emisarit Miroslav Lajçak nuk përcakton se kush duhet të vijë në takim, sepse kjo u është lënë vetë palëve që të vendosin. Stano në këtë mënyrë i është përgjigjur kritikave dhe akuzave që zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i kishte drejtuar ndaj Lajçakut, duke e akuzuar se ai po i shkel parimet që vetë i ka caktuar e sipas së cilave asnjë temë në dialog nuk mund të vendoset në agjendë pa pajtimin paraprakë të dy palëve.

https://www.koha.net/arberi/410209/stano-konfirmon-thirrjen-e-takimit-per-dinarin-me-27-shkurt-sjellja-e-bislimit-e-papranueshme/