Arbëri

Shefi i EULEX-it: Situata në veri mund të përkeqësohet lehtë

Shefi i misionit të BE-së për siguri dhe mbrojtje (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ka deklaruar se situata aktuale në veri të Kosovës është në përgjithësi e qetë, por e brishtë dhe mund të përkeqësohet shumë lehtë.

Ai ka folur edhe për sulmin në Banjskë më 24 shtator, për të cilin tha se po presin informacion nga Serbia mbi hetimet për këtë sulm.

“Situata aktuale në veri të Kosovës dhe në përgjithësi në Kosovë është e qetë, por ende e brishtë. Fatkeqësisht, ne kemi parë që kjo situatë mund të përkeqësohet shumë lehtë siç ndodhi fatkeqësisht gjate muajit shtator, me sulmin e rëndë në Bansjkë, ku humbi jetën rreshteri i policisë Afrim Bunjaku”, ka thënë ai për “A2CNN”.

Ai ka thënë se EULEX-i që nga viti 2018 nuk ka mandat që të kryejë hetime, andaj përgjegjësinë e plotë për kryerjen e hetimeve mbi sulmin në Banjskë e kanë vetëm institucionet e Kosovës.

“EULEX-i po monitoron që hetimet e kryera nga policia e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës të kryhen në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane në kryerjen e këtij monitorimi. Po, vërtet, ne ishim të pranishëm në Banjskë. Aktivitetet tona monitoruese shtrihen përgjatë gjithë zinxhirit të drejtësisë. Pra, që nga aktivitetet e kryera nga policia e Kosovës në terren e deri te aktivitetet e kryera nga prokurorët, gjyqtarët, avokatët dhe sistemi korrektues, përfshirë Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ne jo vetëm monitorojmë por edhe këshillojmë në fusha të ndryshme; mbështesim gjithashtu zhvillimin e ligjeve dhe rregulloreve përkatëse. Ne ishim të pranishëm në Banjskë gjatë sulmit. Ishim shumë afër zonës së manastirit dhe monitoruam aktivitetet e policisë së Kosovës . Menaxhuam hetimet për pelegrinët, shoqëruam ata që ishin të pranishëm në manastir dhe i përcollëm në pikat e përbashkëta të kalimit asi përfunduan të gjitha operacionet”, ka thënë ai.

Barbano ka shtuar se EULEX-i ka lehtësuar disa kërkesa për informacion ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe Policisë së Kosovës.

“Kemi kontakte me Ministrinë e Brendshme dhe kemi lehtësuar disa kërkesa për informacion nga Policia e Kosovës. Jemi në pritje të përgjigjeve”, është shprehur ai.

Shefi i EULEX-it në Kosovë ka shprehur shqetësimin e tij edhe për procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë, për çka ka thënë se do ta garantonte integritetin dhe përgjegjshmërinë e gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve.

“Pra, është një sistem që është i rëndësishëm, është parësor për dhënien e një sistemi të drejtë drejtësie. Megjithatë, modalitetet përmes të cilave mundësohet bien nën përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës. EULEX-i sërish është duke i monitoruar zhvillimet në këtë fushë, duke ndihmuar edhe me këshilla kur kërkohet dhe duke ndihmuar edhe kujdesin e aktiviteteve nga grupet punuese në kuadër të të ashtuquajturës deklaratë të angazhimit të përbashkët, të udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë me pjesëmarrjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Këshilli i Drejtësisë”, ka thënë ai.