Një nënë që ka fëmijën me aftësi të kufizuara në të dëgjuar dhe në të folur ka ngritur dyshime për keqtrajtim dhe dhunim të fëmijës gjatë qëndrimit në qendrën burimore për mësim dhe këshillim “Nënë Tereza” në Prizren. Rasti është duke u trajtuar nga Policia dhe Prokuroria Themelore në Prizren e në Inspektorat të Arsimit thanë se nuk kanë arritur t’i dokumentojnë dyshimet e saj për shkak të ankimimit me vonesë
Arbresha Shehu nga Kaçaniku ka ngritur dyshime për ushtrim dhune dhe keqtrajtim ndaj fëmijës së saj 14 vjeç gjatë qëndrimit në qendrën burimore për mësim dhe këshillim “Nënë Tereza” në Prizren.
Ajo pretendon se keqtrajtimet kanë ndodhur gjatë muajve maj-qershor të vitit 2022.
Thotë se fëmija me aftësi të kufizuara në të dëgjuar dhe në të folur ka ndjekur mësimin deri në klasën e gjashtë në këtë institucion, porse pastaj ka hezituar duke shprehur frikë, për ç’gjë thotë se është detyruar ta shoqërojë atë për disa javë.
“Kemi hy te drejtori, kemi pyetur se çka ka ndodh me djalin tonë që nuk është duke ardhur fëmija jonë në shkollë. Kemi dëshirë me i pa kamerat se çka ka ndodh me fëmijën tonë. Na kanë thanë janë shlyer kamerat, nuk ka kamera. Mandej jam detyruar, 19 javë kam qëndruar në shkollën e Prizrenit deri e ka përfunduar fëmija klasën e gjashtë.....kanë ushtruar dhunë ndaj fëmijës tem”, ka thënë ajo.
Shehu thotë se ka informacione brenda shkollës që me fëmijën e saj është abuzuar.
“Ne kur e kemi kuptuar, kam qenë unë në Prizren, një motër medicinale e ka gjet djalin tem t’zhveshur në dhomë të gjumit. Unë e kam ba një ankesë dhe e kam dorëzuar tek një mësues, ajo ankesë ka humbur. Nuk kanë marrë masa për djalin tem kurgjo....Në rregull, kamera është e shlyer, libra e motrave medicinale nuk shlyhet. Djalit tem syze i janë thyer 9 herë, shkolla nuk ka marrë masa kurgjo. Implanti konklar e ka të prishur. Krejt falen, dhuna seksuale në atë shkollë nuk mundet me u fal te një fëmijë”, ka deklaruar Shehu,
Shehu nuk e ka lajmëruar rastin asnjëherë në Polici pasi ka thënë se nuk ka pasur prova, por tregon se vitin e kaluar ka bërë ankesë në Inspektorat të Arsimit.
Në këtë institucion thonë se për shkak të ankimimit të vonuar një vit pas ndodhjes së rastit ankesa ka mbetur e padokumentuar dhe e argumentuar.
“Gjatë inspektimit kanë marrë deklarata nga ish-drejtori i shkollës, edukatorët dhe infermierja kujdestare, kanë shikuar fletoret e kujdestarisë dhe evidencat që iu kanë ofruar, por nga këto të dhëna nuk kanë konstatuar se ndaj nxënësit është ushtruar dhunë. Sipas ish-drejtorit të shkollës dhe drejtorit aktual të Q.B., kamerat e sigurisë të dhënat i ruajnë deri në 6 muaj, ndërsa ankesa e prindit është bërë pas një viti”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.
Burime brenda Qendrës Burimore nën kushte anonimiteti i treguan KOHËS se stafi ka qenë dëshmitar i një tentimi për abuzim seksual me fëmijën nga nxënësit e shkollës.
E ish-drejtori i Qendrës Burimore në Prizren, Ymret Shabani, i cili ishte në detyrë gjatë asaj periudhe kohore, ka mohuar të ketë ndodhur ky rast dhe nuk ka pranuar të deklarohej zyrtarisht me arsyetimin e gjendjes shëndetësore.
Drejtori aktual, Hysamedin Beshi, ka thënë se ka bashkëpunuar me institucionet për ndriçimin e këtij rasti.
Ndonëse Policia dhe Prokuroria Themelore në Prizren i kanë konfirmuar KOHËS se janë duke trajtuar rastin, nëna dhe personeli i Qendrës Burimore kanë deklaruar se nuk janë kontaktuar deri më tash nga organet e hetuesisë.
Fillimisht në Polici thanë se prokurori ka sugjeruar që rasti të trajtohet brenda institucionit shkollor pasi nuk ka elemente të veprës penale.
“Rasti që i referoheni ju është trajtuar nga policia, është njoftuar prokurori dhe i njëjti ka sugjeruar që rasti të trajtohet brenda institucionit arsimor pasi nuk ka elemente të veprës penale. Pra, nuk ka pasur elemente te veprës penale, kjo duhet të jete arsyeja pse nuk është ftuar në polici menaxhmenti i qendrës burimore për mësim dhe këshillim ‘Nënë Tereza’”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.
Në Prokurori pa dhënë shumë informacione thanë se është autorizuar Policia për mbledhjen dhe grumbullimin e informacioneve të nevojshme lidhur me rastin.
“Referuar kërkesës suaj për informacione, Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se është autorizuar Policia për mbledhjen dhe grumbullimin e informacioneve të nevojshme lidhur me rastin. Rasti është duke u trajtuar nga Prokuroria, andaj për rrjedhën e mëtutjeshme do t’ju mbajmë të informuar”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Në procesverbalet e Inspektoratit të Arsimit që ka siguruar KOHA edukatoret dhe infermieret kanë mohuar të kenë keqtrajtuar fëmijën gjatë qëndrimit në shkollë apo që fëmija ka qenë cak i abuzimi në shkollë.