Arbëri

Hovenier akuzon Kosovën se po nxit tensione, përmend mosmbështetjen në arenën ndërkombëtare

Jeffrey Hovenier - ambasador i SHBA-se

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka akuzuar autoritetet e Kosovës se po nxisin tensione ndëretnike me veprimet e fundit teksa ka përmendur edhe mundësinë e mosmbështetjes amerikane për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Hovenierit, të publikuar të shtunën në mbrëmje në platformën “X”.

Hovenier ka përmendur çështjen e mbylljes së objekteve të “institucioneve të administruara nga Serbia” në Dragash, Pejë, Istog e Klinë dhe zyrën e një organizate joqeveritare në Prishtinë. Po ashtu ka thënë se SHBA-ja është e shqetësuar për konfiskimin e dinarëve serbë dhe një veture që po bartte mjetet për t’i shpërndarë pagesat nga Serbia.

“Ne presim që autoritete e Kosovës të sigurojnë se individët për të cilat ishin të dedikuara këto pagesa sociale, t’i marrin pa vonesa”, ka deklaruar Hovenier duke shtuar se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për shqetësimet e të gjithë qytetarëve.

Ai ka thënë se çështja e strukturave serbe duhet të përfshihen në dialog.

“Çështjet e lidhura me strukturat e përkrahura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ne gjithashtu ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova ta shtyjë zbatimin e Rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operimet me Para të gatshme deri sa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe deri sa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre”, ka përfunduar deklaratën Hovenieri.

Hovenier shprehu drojën për tensione edhe ditë më parë. Sipas tij, rregullorja e BQK-së që ndalon dinarin serb, rrezikon të nxisë tensione të reja. Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka dhënë garanci se situata nuk do të dalë jashtë kontrolli si pasojë e ndalimit të dinarit serb.

Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë mbyllur objekte të strukturave ilegale serbe në disa komuna.