Arbëri

Suspendohet një polic në Leposaviq, dyshohet se konsumoi drogë në objektin komunal

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), e ka suspenduar një zyrtar policor, me dyshimin se ka qenë i përfshirë në konsumimin e lëndëve narkotike brenda objektit të Komunës së Leposaviqit.

IPK-ja ka njoftuar të mërkurën se zyrtari policor është intervistuar nga Prokuroria, e i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “posedim i paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë filluar një hetim pas publikimit të video-incizimeve të reja në medie në bazë të të cilave dyshohet se zyrtarë të komunës së Leposaviqit kanë konsumuar lëndë narkotike brenda objektit të komunës. Hetimi i IPK-së ka filluar bazuar në dyshimet se në këto pamje tashmë të publikuara mund të jetë i përfshirë si i dyshuar edhe një zyrtar policor”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

KOHA ka mësuar se zyrtari policor i përfshirë në këtë rast është P.R.

Në publikimet e “Nacionales” shihen zyrtarë të Leposaviqit, përfshirë Dragana Miletiq, tashmë e shkarkuar, duke konsumuar drogë.

Vetë Miletiq ka akuzuar Listën Serbe “për shpikje”.