Arbëri

Tërhiqen avokatët e Thaçit, ankohen për mospagesë

Hashim Thaçi

Foto: Arkiv

Gregory Kehoe, Joe Reeder, "Greenberg Legal Associates" dhe anëtarët e kësaj kompanie, kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja e Hashim Thaçit në rastin e tij në Gjykatën Speciale.

Si shkak në kërkesë është përmendur moskryerja e obligimeve ndaj tyre.

“Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Associates Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe z.Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimi nëse nuk u është përmbushur detyrimi”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Në njoftim është përfshirë kërkesa zyrtare e mbrojtjes së Thaçit, derisa thuhet se sipas rregullores, kur të caktohet grupi tjetër i mbrojtjes, avokatët paraprak duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë “në një periudhë prej jo më shumë se 45 ditë”.

Ministria e Drejtësisë ka thënë se në asnjë moment nuk i ka vonuar pagesat për mbrojtjen e të akuzuarve që po mbahen në Hagë.

Nga kjo ministri kanë thënë për KOHËN se në bazë të legjislacionit në fuqi, shteti nuk mund të paguajë më shumë se një avokat.

“Ministria e Drejtësisë në asnjë moment nuk i ka vonuar pagesat për mbrojtjen e të akuzuarve që po mbahen në Hagë. Bazuar në legjislacionin në fuqi, MD-ja nuk mund të paguajë më shumë se një avokat”, thuhet në përgjigjen e këtij dikasteri.

Ndërsa në një njoftim në Facebook, kjo Ministri ka thënë se për mbrojtësit e Thaçit ka paguar deri tash mbi 3.5 milionë euro. Sipas MD-së, pagesat bëhen vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje. Në këtë rast, sipas ministrisë, pagesat për Thaçin i janë bërë vetëm avokatit Luka Misetiq.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka vendosur që të mërkurën nga ora 16:00 të diskutohet lidhur me mbrojtjen e Thaçit.

Në seancën e së martës ai ka kërkuar që edhe Thaçi të jetë i pranishëm të mërkurën në seancë.