Arbëri

BE-ja i përgjigjet Kurtit: Dialogu është i lidhur me integrimin e Kosovës në bllok

Bashkimi Evropian ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është e lidhur me rrugën e Kosovës drejt procesit të integrimit në bllok, duke iu përgjigjur kryeministrit Albin Kurti i cili ka kërkuar që këto dy procese të jenë të ndara.

Kurti, në konferencë për media pas samtit “Ballkani Perëndimor takon BE-në” të mbajtur në Shkup më 22 janar, ka thënë se sa herë që i vjen mundësia kërkon që të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Por nga BE-ja kanë thënë se rruga për anëtarësim për Kosovën dhe Serbinë udhëhiqet përmes dialogut.

“Marrëdhëniet e mira fqinjësore, pajtimi dhe marrëdhëniet normale janë gurët e themelit të procesit të anëtarësimit në BE për çdo aspirant për anëtarësim në BE. Kjo është edhe ligjërisht e ankoruar në dokumentet përkatëse të lidhura me procesin e anëtarësimit të Kosovës, Serbisë dhe të gjithë të tjerëve. Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij kanë qenë të qartë – publikisht dhe drejtpërdrejt me partnerët, se rruga e BE-së e Kosovës dhe Serbisë udhëhiqet përmes dialogut për normalizim (shih, ndër të tjera, konkluzionet e mëparshme të Këshillit më 2013, 2014, 2015, 2018, 2019, 2021; 2022; korniza negociuese e Serbisë dhe komunikimi i këtij viti për zgjerimin si dhe raportet e Kosovës dhe Serbisë)”, thuhet në përgjigjen e BE-së për KOHËN.

BE-ja ka paralajmëruar se si Kosova, ashtu edhe Serbia, rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në rast se mungon progresi në dialog.

“Siç thuhet në dokumente të shumta zyrtare të BE-së dhe së fundmi në konkluzionet e Këshillit të 12 dhjetorit 2023, normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i zotimeve të dialogut janë kushte thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”, thuhet tutje në përgjigjen e BE-së.

“BE-ja e ka bërë të qartë që rruga për integrimin e Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian bëhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Kjo do të thotë se nëse nuk ka progres në procesin e dialogut nuk do të ketë progres as në procesin e anëtarësimit në BE. Është thënë shumë qartë se çfarë pret BE-ja nga vendet të cilat synojnë anëtarësimin në të.  Dialogu dhe procesi i integrimit janë të pandashme edhe për Kosovën edhe për Serbinë”, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në një konferencë për media.

https://www.koha.net/arberi/406636/kurti-te-ndahet-procesi-i-anetaresimit-te-kosoves-ne-be-nga-normalizimi-i-marredhenieve-me-serbine/