Arbëri

KQZ-ja pranon peticionin për shkarkim të kryetarit të Zubin-Potokut

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se ka pranuar peticionin për shkarkimin e kryetarit të Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri dhe se bazuar në legjislacionin në fuqi do t’i verifikojë nënshkrimet.

Këtë për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

“Mund t'ua konfirmoj se deri më tani kemi pranuar kërkesën me nënshkrime të mbledhura për verifikim nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin-Potokut. KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë listën e nënshkrimeve, pra nëse nënshkruesit janë qytetarë me të drejt vote në komunën përkatëse”, ka theksuar Elezi.

Nënshkrime për shkaktim të kryetarëve janë mbledhur edhe në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut e Zveçan.

Afati i mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkim të kryetarëve në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut e Zubin-Potok ka përfunduar më 22 janar, ndërsa në Zveçan do të përfundojë më 27 janar

Për të qenë peticioni i suksesshëm, duhen nënshkrimet e së paku 20 për qind të qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Zveçan duhen nënshkrimet e 1.411 votuesve, në Zubin-Potok nënshkrimet e 1.347 votuesve, në Mitrovicë të Veriut duhen nënshkrimet e 3.640 votuesve dhe në Leposaviq nënshkrimet e 2.689 votuesve.