Arbëri

Pasi u përkul në Prekaz, avokati serb ndalohet për katër orë nga anëtarët e BIA-s

Avokati i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, Çedomir Stojkoviq, ka njoftuar se të premten është ndaluar për 4 orë nga anëtarët e BIA-s serbe.

Ndalimi i tij është bërë një ditë pasi që ai bëri homazhe te varri i Blerina Jasharit në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz.

“Pasi më ndaluan për 4 orë nga anëtarët e Agjencisë së Informacionit të Sigurisë së Serbisë, më liruan për të vazhduar më tej”, ka shkruar ai në X.

Sipas tij ai është liruar pasi që autoritetet serbe e kanë ditur se nëse nuk do të lirohej presioni i ndërkombëtarëve do të ishte i madh.

“Lirimi im nuk është pasojë e vullnetit të autoriteteve. Më liruan për shkak të ndërgjegjësimit të qeverisë se po të më arrestonin presioni nga ndërkombëtarët do të ishte shumë i madh”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet të shpjegojë pse ai përbën “përjashtim nga Nikola Sanduloviq”.

Sanduloviq ishte arrestuar dhe ka pretenduar se është rrahur nga shërbimi sekret serb pikërisht për këtë arsye. Në fletarrestin ndaj tij thuhej se ai kishte nxitur urrejtje kombëtare, racore e fetare, duke e përmendur rastin kur ai pati bërë homazhe te varrezat e Jasharëve.

“Bëra një gjë edhe më të keqe se Nikola, mbajta një fjalim pranë varrit ku ai vendosi lule. Ai është arrestuar dhe rrahur, unë jam i lirë”, ka shkruar Stojkoviq.