Arbëri

Kosova çmon Walkerin për jehonën që i bëri krimit serb në Reçak

Në nderim të viktimave të kësaj masakre, si rëndom ishte edhe ambasadori William Walker. Më 1999, ai pati vizituar fshatin pas masakrës si shef i misionit të OSBE-së që ishte dhe nga vendi i ngjarjes, tha se “kjo është një masakër dhe një krim ndaj njerëzimit”. Ky konstatim i tij nxiti faktorin ndërkombëtar të reagojë më ashpër ndaj Serbisë

Udhëheqësit shtetërorë, të shoqëruar nga ambasadori William Walker, shefi i misionit të OSBE-së, që e alarmoi botën për masakrën në Reçak, bënë thirrje për drejtësi të hënën.

Në shënimin e 25-vjetorit të kësaj masakre, që nderon 45 të vrarët nga policia e ushtria serbe më 15 janar 1999, liderë institucionalë e qytetarë të shumtë kanë vendosur kurora lulesh në Memorialin e Reçakut.

Ambasadori Walker ka thënë se ka ardhur shpesh t’i vizitojë miqtë e tij në Reçak dhe se është i kënaqur që përkujtimi i masakrës po përcillet me interes të madh.

“Besoj se është vizita ime e 20-a, 22-a apo 23-a. Vij për ta nderuar fshatin Reçak, vij për t’i përshëndetur miqtë e mi të fshatit Reçak, disa prej të cilëve i kam njohur për 25 vjet e disa prej tyre fatkeqësisht kanë vdekur dhe siç mund ta shihni, edhe unë jam duke u moshuar. Është hera e parë që më është dashur të vij me shkop, por dua të vij në Reçak, në cilëndo mundësi që më jepet. Jam i lumtur të shoh që ka interesim të tillë në atë se çfarë ka ndodhur në fshatin Reçak sot 25 vjet më parë. Për mua është shumë emocionuese. Shpresoj se është emocionuese për të gjithë njerëzit që jetojnë e prosperojnë në Republikën e Kosovës”, tha Walker në një konferencë për media pas nderimit të viktimave.

Ai, pati vizituar fshatin pas masakrës si shefi i misionit të OSBE-së që ishte dhe nga vendi i ngjarjes, tha se “kjo është një masakër dhe një krim ndaj njerëzimit”. Ky konstatim i tij nxiti edhe faktorin ndërkombëtar të reagojë më ashpër ndaj Serbisë.

Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se drejtësia është e domosdoshme për pajtim. Ajo është shprehur falënderuese për kontributin e Walkerit për Kosovën.

“Drejtësia është ajo që i jep kuptim paqes, drejtësia është ajo që i jep kuptim lirisë dhe drejtësia është ajo që është e domosdoshme për pajtim. Prandaj, ne jemi këtu siç e përmenda për të nderuar të gjithë të rënët, të gjitha ata civilë të cilët duarthatë u masakruan në mënyrën më brutale duke kryer krim kundër njerëzimit nga regjimi i Millosheviqit dhe njëkohësisht jemi këtu për ta falënderuar sërish ambasadorin Walker që u bë zëri i të gjitha viktimave në një kohë kur fatkeqësisht ne nuk kishim zë”, ka thënë presidentja Osmani.

E kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se fakti që Walkeri e tha të vërtetën për Reçakun, e bëri armik të regjimit në Serbi.

“Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i OSBE-së në Kosovë, erdhi këtu, tek fshatarët dhe e foli të vërtetën. Tha: kjo është masakër dhe është krim kundër njerëzimit. E dihet që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe i shovinistëve, andaj edhe sot e kësaj dite ambasadori William Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar dhe më i urryer në Serbi, ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar me ç’rast ish-ministri i Informatave i asaj kohe sot është president i Serbisë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se kjo masakër, pas shumë të tjerave nëpër Kosovë, ia hapi sytë Perëndimit. Ajo, sipas Konjufcës ishte ndër faktorët që i dha shtysë të madhe bombardimit të ish-Jugosllavisë dhe futjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

“Pas Reçakut e gjithë bota demokratike e kuptoi që gjuha të cilën e njeh Serbia është vetëm gjuha e forcës, sepse përndryshe nuk do të ndalej lufta në Kosovë dhe masakrat që po i kryente gjithandej Kosovës, prandaj gjithmonë do të vijmë këtu, çdo 15 janar për t’i kujtuar edhe martirët e Reçakut, po të mos harrojmë edhe dëshmorët të cilët ranë në përpjekje për ta mbrojtur popullatën civile të Reçakut”, ka thënë Konjufca.

Në Reçak kanë bërë nderime edhe liderët e partive opozitare, të cilët po ashtu bënë thirrje për drejtësi, derisa përmendën edhe mospendimin e Serbisë dhe rëndësinë e Reçakut në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për krimet makrabre që i bëri shteti serb gjatë luftës.

E ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se askush nuk duhet ta harrojë apo mohojë se çfarë ka ndodhur në Reçak.

Hovenier ka thënë se e mban mend mirë ditën kur ka ndodhur masakra e Reçakut.

“Siç e thoshte dr. Martin Luther Kingu: ‘Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo’. Askush të mos harrojë apo mohojë atë që ndodhi në Reçak, apo pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë dolën në mbrojtje të popullit të Kosovës. E mbaj mend mirë atë ditë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Vizitave në Reçak u është bashkuar edhe misioni i BE-së në Kosovë, zyrtarët e të cilës kanë bërë thirrje që drejtësia për masakrën e Reçakut të vihet në vend dhe të mbahen përgjegjës ata që e kanë kryer këtë krim të llahtarshëm.

Vetëm një gjykim në mungesë është në zhvillim e sipër në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me krimet e luftës në Reçak. Gjykimi i nisur është ndaj Çedomir Aksiqit. Për Masakrën e Reçakut është dënuar vetëm një ish-polic serb, Zoran Stanojeviq më 2001, por që nuk e ka vuajtur dënimin, meqë është arratisur. Në masakrën e Reçakut u vranë 45 civilë.