Arbëri

Për gjuhën e urrejtjes fajësohen edhe politikanët

Aktivistë të të drejtave të njeriut zbuluan një mural në Prishtinë, që më shumë se vepër arti, u vlerësua si protestë kundër gjuhës së urrejtjes. Në ngjarje mori pjesë edhe avokati i popullit, Naim Qelaj, i cili tha se në gjuhën e urrejtjes ndaj grupeve të caktuara po kontribuojnë edhe politikanët

Për të shënuar 75-vjetorin e ratifikimit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut në OKB, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) ka zbuluar një mural, në sheshin “Zahir Pajaziti” të dielën, ndërkohë aktivistë të kësaj organizate shpërndanë edhe broshura që përmbajnë 30 nenet e kësaj deklarate.

“Një mural i cili fokusohet në gjuhën e urrejtjes ku njëjtë ka qenë edhe fokusi i javës për të drejtat e njeriut. Murali, mbi të gjitha është më shumë se një vepër arti, do të mbetet një dokumentim i protestës dhe aktivizimit të të gjithë neve me fokusin në gjuhën e urrejtjes por mbi të gjitha lidhur me sigurinë e grave”, ka thënë Rina Kadiri, drejtore e programeve në YIHR.

Ngjarja u organizua në kuadër të Javës për të drejtat e njeriut, e këtë vit në theks pati lirinë e shprehjes dhe gjuhën e urrejtjes.

Këtij aktiviteti iu bashkuan edhe aktivistë nga shtete të huaja, ndër ta ishte edhe Isidora Petkoviq, e cila erdhi nga Serbia dhe përshtypja e saj është se Kosova mund të merret si shembull.

“Mendoj që Kosova me të vërtetë po punon në çështjen e gjuhës së urrejtjes. Do të doja që Serbia të shikojë më shumë se çfarë po bën Kosova, sepse është një shembull shumë i mirë dhe shpresoj që në të ardhmen Serbia ta shohë se çka po bën Kosova dhe ta bëjë edhe vetë. Bravo Kosovës!”, ka thënë Petkoviq.

E avokati i popullit, Naim Qelaj, i ftoi institucionet që t’i zbatojnë rekomandimet dhe tha se për gjuhën e urrejtës ndaj grupeve të ndryshme kanë faj edhe përfaqësuesit e popullit.

“Ne kemi bërë një analizë dhe vlerësim të diskursit të komunikimit publik në media edhe në rrjetet sociale dhe kemi parë që të gjitha grupet e cenueshme janë cak i sulmeve ose i adresimit të gjuhës së urrejtjes. Fillimisht mund të them që grupi që më së shumti atakohet janë komuniteti LGBTI+ sepse me sa duket për shkak të diskursit që është përdorur edhe në seancat parlamentare dhe nga niveli i lartë politik e publik”, u shpreh Qelaj.

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut u ratifikua më 10 dhjetor 1948 në Paris, 30 nenet e kësaj deklarate janë të përfshira edhe në Kushtetutën e Kosovës.

Kjo deklaratë i obligon shtetet që t’i njohin të gjithë njerëzit si të lirë e të barabartë pavarësisht kombësisë, gjuhës, fesë apo statuseve të tjera. Komitetin për hartimin e kësaj deklarate e kishte udhëhequr politikania dhe zonja e parë e SHBA-së, Eleanor Roosevelt.