3 perditesime
20:37

Buzhala: Vetë supermarketet kanë blerë dy-euro false dhe ua kanë kthyer qytetarëve

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Viktor Buzhala, ka thënë se vetë supermarketet kanë blerë monedha false dhe ua kanë kthyer ato qytetarëve.

Të enjten në ‘Konfront” të KTV-së, Buzhala ka deklaruar se zgjidhja më e mirë sipas tij, është që monedha dy-euroshe të tërhiqet përkohësisht prej qarkullimit dhe të rifutet sërish pasi të pastrohet tregu.

“Policia nuk e ka pasur shumë vështirë që ta dijë se kush po i falsifikon ato mjete. Ekonomia funksionon në mënyrë zinxhirore, dikush i ka futur ato në treg dhe i përcjell hapat. Të ndiqet burimi dhe Policia jonë që është mjaft e specializuar në hetimin e aktiviteteve kriminale, nuk do ta ketë problem. Por, ka munguar vullneti, është neglizhuar apo mund edhe të ketë pasur bashkëpunim. Vetë supermarketet kanë blerë monedha dhe ua kanë kthyer qytetarëve. Zgjidhja më e mirë në këtë rast është që të tërhiqet përkohësisht prej qarkullimit monedha dy-euroshe, pastrohet tregu e pastaj të rifutet sërish në qarkullim”, ka thënë ai.

VIDEO:

Sipas tij, janë dy mënyra për t’i mbrojtur bizneset dhe konsumatorët.

“Tërheqja ose krijimi i një task-force nga Qeveria e Kosovës. Krijimi i një task-force ku bartës duhet të jetë Ministria e Punëve të Brendshme, që të mos e lejojë qarkullimin e këtyre mjeteve në ekonomi. Pra, të hetojë se kush po i prodhon dhe kush po i fut në treg”, ka theksuar ai.

20:32

Bajramaj: Falsifikimi dhe qarkullimi i parasë false dënohen deri me 10 vjet burg

Jeton Bajramaj, drejtor i Departamentit të parave në BQK, ka thënë se si në çdo shtet tjetër, as Kosova s’bën përjashtim sa i përket falsifikimit të parasë.

Ai ka theksuar se në veçanti në tri vjetët e fundit janë shtuar monedhat false.

“Fenomeni i parave të falsifikuara, sidomos 2-euroshi, shihet se ka pasur rritje në tri vjetët e fundit. Kemi pasur rritje më 2021, 2022, por viti 2023 është që janë evidentuar më së shumti monedha të falsifikuara”, ka thënë ai.

Bajramaj është shprehur se falsifikimi i parasë dënohet deri me 10 vjet burgim.

“Falsifikimi i parasë, sidomos prodhuesit e parave të falsifikuara sipas Kodit Penal dënohen me 1 deri në 10 vjet burgim. Kushdo që e di se paraja është e falsifikuar, merr ose e vë në qarkullim, transporton apo e përdor, mund të dënohet prej 1 deri në 8 vjet burgim. Falsifikimi dhe vënia në qarkullim e parasë së falsifikuar është vepër e rëndë penale”, ka përfunduar ai.

Bajramaj ka deklaruar se udhëzimet e BQK-së kanë qenë të qarta se askush nuk mund t’ia ndalojë askujt që të paguajë me 2-euroshe.

20:22

Selimaj: Për 10 muaj Forenzika pranoi mbi 38 mijë 2-euroshe false

Feriz Selimaj nga Agjencia e Forenzikës së Kosovës ka thënë se secili rast falsifikimi që u shkon në agjenci, adresohet nga Policia e Kosovës.

Ai ka treguar se për 10 muaj mbi 38,100 monedha 2-euroshe i kanë dëshmuar si të falsifikuara.

“Gjatë periudhës janar deri më 31 tetor kemi pranuar 104 raste të ndryshme të falsifikimit me gjithsej 43,571 dëshmi. Nga këto dëshmi kanë rezultuar të falsifikuara 38,137 copë 2 euro”, ka thënë ai.

Selimaj ka shtuar tutje se kartëmonedha 50-euroshe është më e falsifikuara.

“Te ne vijnë të gjitha rastet e dyshuara për falsifikim, monedha, kartëmonedha, dokumente. Kemi edhe statistika për kartëmonedha. Gjatë kësaj periudhe që ceka janë sjellë 615 raste me gjithsej 3876 dëshmi për kartëmonedha, diku 30 mijë. Këtu kemi 20 copë 500 euro, 9 copa 200 euro, 391 copë 100 euro, 1218 copë vlerë 50 euro që është më e falsifikuara”, ka thënë ai.

20:17

Menaxherja e marketit: Jemi të obliguar t’i pranojmë edhe monedhat false

Mbi 85 mijë euro në monedha 2-euroshe janë sekuestruar së fundmi në një operacion të Prokurorisë Speciale që rezultoi edhe me arrestimin e gjashtë personave që dyshohen se futën në treg këto para.

Monedha 2-euroshe ka shkaktuar alarm te qytetarët e të bizneset, pasi ato nisën të refuzoheshin herë prej njërës e herë prej tjetrës palë.

Arbenita Topalli-Alidemaj, menaxheri marketi, ka thënë se pavarësisht dëmeve, bizneset janë të obliguara t’i pranojnë këto monedha, qoftë edhe false.

“Pavarësisht se kemi marrë veprimet e duhura që t'i parandalojmë këto monedha 2 euro false, përballemi çdo ditë me sfidën sepse kemi konsumatorë që sjellin dhe marrin shërbime te ne edhe me monedha 2 euro, dhe patjetër që jemi të obliguar t'i pranojmë ato monedha dhe kjo na shkakton probleme si biznes”.

Topalli-Alidemaj ka shtuar se humbjet janë në rritje për bizneset dhe se vazhdojnë të punojnë kësisoj nëse nuk hiqen plotësisht nga qarkullimi 2-euroshet false. Ajo ka thënë se veç në marketin ku punon ajo janë mbi 5 mijë euro në monedha 2-euroshe false.

“Përafërsisht mbi 5 mijë euro mund të llogaritet që kemi monedha 2 euro që jemi të detyruar t'i klasifikojmë dhe t'i kthejmë në bankën që i deponojmë gjithmonë. Jemi të obliguar t'i pranojmë edhe monedhat false. Po patjetër (edhe kur t'i detektojmë se janë false). Kemi hasur në probleme në fillim deri sa BQK-ja ka dalë me njoftimin se si duhet të vazhdojmë si biznese private. Nuk është problem vetëm për qytetarët por edhe bizneset që i pranojnë monedhat sepse dëmet mbeten te ne, sepse ato nuk kemi mundësi t'i rimburësojmë apo t'i kthejmë në fitim të firmës”.

“Para njoftimit të BQK-së ka pasur raste që punëtorët dhe qytetarët kanë qenë konfuz a t'i pranojnë apo jo. Ka raste kur janë 2 euro origjinal prapë nuk i pranojnë, qytetarët hezitojnë”, ka përfunduar Topalli-Alidemaj.