Mbi 85 mijë euro në monedha 2-euroshe janë sekuestruar së fundmi në një operacion të Prokurorisë Speciale që rezultoi edhe me arrestimin e gjashtë personave që dyshohen se futën në treg këto para.
Monedha 2-euroshe ka shkaktuar alarm te qytetarët e të bizneset, pasi ato nisën të refuzoheshin herë prej njërës e herë prej tjetrës palë.
Arbenita Topalli-Alidemaj, menaxheri marketi, ka thënë se pavarësisht dëmeve, bizneset janë të obliguara t’i pranojnë këto monedha, qoftë edhe false.
“Pavarësisht se kemi marrë veprimet e duhura që t'i parandalojmë këto monedha 2 euro false, përballemi çdo ditë me sfidën sepse kemi konsumatorë që sjellin dhe marrin shërbime te ne edhe me monedha 2 euro, dhe patjetër që jemi të obliguar t'i pranojmë ato monedha dhe kjo na shkakton probleme si biznes”.
Topalli-Alidemaj ka shtuar se humbjet janë në rritje për bizneset dhe se vazhdojnë të punojnë kësisoj nëse nuk hiqen plotësisht nga qarkullimi 2-euroshet false. Ajo ka thënë se veç në marketin ku punon ajo janë mbi 5 mijë euro në monedha 2-euroshe false.
“Përafërsisht mbi 5 mijë euro mund të llogaritet që kemi monedha 2 euro që jemi të detyruar t'i klasifikojmë dhe t'i kthejmë në bankën që i deponojmë gjithmonë. Jemi të obliguar t'i pranojmë edhe monedhat false. Po patjetër (edhe kur t'i detektojmë se janë false). Kemi hasur në probleme në fillim deri sa BQK-ja ka dalë me njoftimin se si duhet të vazhdojmë si biznese private. Nuk është problem vetëm për qytetarët por edhe bizneset që i pranojnë monedhat sepse dëmet mbeten te ne, sepse ato nuk kemi mundësi t'i rimburësojmë apo t'i kthejmë në fitim të firmës”.
“Para njoftimit të BQK-së ka pasur raste që punëtorët dhe qytetarët kanë qenë konfuz a t'i pranojnë apo jo. Ka raste kur janë 2 euro origjinal prapë nuk i pranojnë, qytetarët hezitojnë”, ka përfunduar Topalli-Alidemaj.