Arbëri

Nexhat Krasniqi s’u largua edhe pasi KRPP-ja alarmoi për shkelje në tenderët mbi 70-milionësh

Descriptive Text

Në muajin prill të këtij viti Komisioni Rregullator i Prokurimit Publik alarmoi Ministrinë e Infrastrukturës për shkelje në tre tenderë, vlera e të cilëve është mbi 70 milionë euro. Ministri Liburn Aliu u njoftua me shkeljet, por nuk u ndërmorën masa ndaj Nexhat Krasniqit, i cili deri muajin e shkuar e drejtoi Zyrën e Prokurimit. Në Ministri nuk i treguan arsyet e mosveprimit

Ministri Liburn Aliu dhe as sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës nuk kanë marrë veprime ndaj Nexhat Krasniqit, kur për shkeljet në proceset e prokurimit u njoftuan nëpërmjet një shkrese që ua adresoi Komisioni Rregullator i Prokurimit Publik.

Institucioni që monitoron zbatimin e rregullave të prokurimit publik ka identifikuar parregullsi në aktivitete shumëmilionëshe të prokurimit që i ka realizuar Zyra e Prokurimit e udhëhequr nga Krasniqi, dhe ato i ka përmbledhur në një shkresë 3-faqëshe.

“Gjatë monitorimit të zhvillimit të procedurave të prokurimit publik është vërejtur se MMPHI-ja (Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës v.j.) ka përdorur në mënyrë jo të drejtë kriteret minimale për kualifikim (kriteret e përzgjedhjes), të cilat i ka përdorur edhe si kritere të dhënies së kontratës. Janë vërejtur paqartësi në kërkesat te kapacitetet teknike, mospërputhje të kërkesave në dosjen e tenderit me kërkesat e njoftimit për kontratë, pezullim të procedurave të prokurimit pa bazë ligjore, si dhe mosplotësim të kushteve të veçanta të kontratës”, thuhet në shkresën e siguruar nga KOHA.

Në këtë shkresë të datës 5 prill, e cila i është drejtuar sekretarit të kësaj ministrie, porse me të është vënë në dijeni edhe ministri Aliu, janë përmendur 3 tenderë në vlerë mbi 70 milionë euro e te të cilët janë identifikuar shkeljet.

“Disa nga aktivitetet e prokurimit të identifikuara me numër më të madh të gjetjeve janë: Zgjerimi i Rrugës Nacionale N25, Prishtinë-Besi-Podujevë, Lot 0,1,2,3 dhe strukturat Lot 5 në vlerë të parashikuar 37,5999,981 euro; Rehabilitimi i rrugës Rajonale Shtime-Lipjan, L 9900M me vlerë të parashikuar 1,500,000 euro; Zgjerimi i Rrugës Nacionale N9 – segmenti Kijevë-Dollc, Loti 1,2,3,4, në vlerë të parashikuar 32,000,000 euro”, thuhet në shkresë.

Në dokument tregohet se shkelje të tilla ka edhe në tenderë të tjerë. Prandaj, i është kërkuar Ministrisë që të ndërmarrë veprime konkrete e masa të menjëhershme.

“Me lejoni t’ju vë në dijeni se nëse nuk ndërmerrni masa me qëllim të evitimit të këtyre parregullsive të identifikuara si më lart dhe nëse vazhdon përsëritja e shkeljeve dhe mosrespektimi i legjislacionit në fushën e prokurimit publik nga Zyra e Prokurimit në MMPHI, atëherë do të rezultojë me veprime ligjore të KRPP-së, në përputhje me legjislacionin e prokurimit publik në fuqi”, theksohet në këtë shkresë.

KOHA ka adresuar pyetje për këtë çështje në Ministrinë e Infrastrukturës, por nuk ka kthyer përgjigje. Sipas burimeve, nuk janë marrë masa në lidhje me shkeljet e identifikuara.

Zyra e Prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës është udhëhequr nga Nexhat Krasniqi, ndonëse vite më parë është dënuar për korrupsion. Muajin e shkuar ai fillimisht u pezullua nga puna, e më pas u përjashtua nga shërbimi civil, tek pasi Shtetet e Bashkuara e përfshinë në listën e zezë, nën arsyetimin se është i përfshirë në korrupsion të madh.