Në kuadër të veprimeve për forcimin e infrastrukturës ligjore në fushën e sigurisë, Qeveria është në proces të miratimit të ligjit për Këshillin e Sigurisë, i cili nuk ishte ndryshuar që prej themelimit të tij në vitin 2008. Ndryshimet konsistojnë në riformulim të kompetencave në periudha kur vendi ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme. Sipas draftit, parashihet po ashtu edhe krijimi i pozitës së Drejtorit të Përgjithshëm të këtij Këshilli
Qeveria është në proces të hartimit të ligjit për Këshillin e Sigurisë, tek i cili janë bërë disa ndryshime nga versioni i deritashëm.
Kosova nuk ka pasur një ligj të tillë dhe që prej vitit 2008 ka funksionuar me ligjin për themelimin e këtij mekanizmi. Në draftin e Ligjit, i cili ka dalë në konsultim publik, është hequr neni që flet për gjendjen e jashtëzakonshme dhe për kompetencat që i përshkruhen Këshillit në rrethana të tilla. Sipas tij, gjendja e jashtëzakonshme do të rregullohet me ligj tjetër përkatës. Deri tash, autoriteti ekzekutiv në situatat e jashtëzakonshme i është besuar Këshillit të Sigurisë.
“13.1 Këshillit të Sigurisë së Kosovës i besohet autoriteti ekzekutiv pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga Presidenti i Republikës së Kosovës, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin në fuqi. 13.2 Autoriteti i Këshillit të Sigurisë së Kosovës gjatë gjendjes emergjente do të kufizohet në veprime, të cilat në pajtim me ligjet në fuqi janë të domosdoshme për t’u ballafaquar me gjendjen e emergjencës. 13.3 Këshilli i Sigurisë së Kosovës mund t’i delegojë autoritetin organeve të ndryshme për t’u ballafaquar me situata të caktuara gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, siç është përcaktuar me ligjet në fuqi. 13.4 Këshilli i Sigurisë së Kosovës informon Kuvendin e Kosovës për veprimet e tij, në pajtim me ligjet në fuqi”, theksohet në nenin 13 të ligjit aktual.
Në nenin pasues, përcaktohej se gjatë gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur, Presidenti e kryeson Këshillin e Sigurisë së Kosovës. Në draftin e ri, nuk specifikohet se kush e kryeson atë në situata të jashtëzakonshme, vetëm se Ekzekutivit i përshkruhen kompetenca në kryesimin e takimeve të rregullta.
“Në pamundësi të pjesëmarrjes të Kryeministrit, kryesimi i takimeve të Këshillit mund të delegohet nga Kryeministri te Zëvendëskryeministri i parë, si dhe në mungesë të Zëvendëskryeministrit të parë, te njëri prej Ministrave anëtarë të Këshillit”, shkruan në draftin e propozuar nga qeveria.
Këshilli mban takime të rregullta së paku dy herë në vit, porse mund të mbajë edhe të tjera, varësisht nga vlerësimi i gjendjes së sigurisë. E ato mund t’i ftojnë kryeministri apo presidenti.
Neni 6 i draftit përcakton Kompetencat e Këshillit, të cilat konsistojnë në vlerësimin e rreziqeve dhe sfidave të mundshme.
Këshilli bashkërendon dhe vlerëson çështjet e sigurisë kombëtare në nivelin më të lartë shtetëror. 2. Në përputhje me paragrafin 1 të këtij Neni, Këshilli: 2.1.Vlerëson gjendjen e sigurisë kombëtare, kërcënimet, rreziqet dhe sfidat e mundshme, në bashkëpunim me institucionet përkatëse të sigurisë kombëtare; 2.2.Përgatit Strategjinë e Sigurisë në bashkëpunim me Presidentin e Republikës së Kosovës dhe Qeverinë, e cila miratohet nga Kuvendi; 2.3. Përgatit analizën e rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë, në bashkëpunim me Presidentin e Republikës së Kosovës dhe Qeverinë. 2.4.Mbikëqyr dhe vlerëson zbatimin e Strategjisë së Sigurisë”, thuhet në këtë nen.
Çështjet e tjera që trajtohen në këtë Projektligj kanë të bëjnë edhe me punonjësit e Këshillit, përkatësisht me emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili e mbikëqyrë dhe e siguron funksionimin adekuat të njësive mbështetëse, i vlerëson dhe i analizon informatat, si dhe ofron këshilla dhe i përgatit analiza për kryeministrin dhe presidentin.
“...Mbikëqyr dhe siguron funksionimin adekuat të njësive mbështetëse të Këshillit dhe shërben si zyrtar kryesor administrativ i Këshillit; vlerëson dhe analizon informatat dhe dokumentet e ofruara nga institucionet dhe agjencitë tjera në fushën e sigurisë kombëtare; ofron këshilla dhe përgatit analiza, raporte dhe dokumente tjera në fushën e sigurisë kombëtare, për Këshillin, Kryeministrin dhe Presidentin”, shkruan në draft.
Emërimi i drejtorit të përgjithshëm bëhet nga kryeministri dhe presidenti për mandat pesëvjeçar dhe me të drejt riemërimi vetëm një herë. Këshilli mbikëqyret nga Kuvendi, ndryshe prej Ligjit aktual i cili specifikon se “Këshilli i Sigurisë së Kosovës informon Kuvendin për veprimet e tij”.
Kryeministri dorëzon raport vjetor në Kuvend për aktivitetet e Këshillit, i cili shqyrtohet nga Komisioni përkatës i Kuvendit për siguri. Përveç raportit vjetor, Kuvendi mund të kërkojë edhe raporte të tjera të veçanta për aktivitetet e Këshillit. Aktualisht, organ mbështetës i Këshillit është sekretariati që udhëhiqet nga Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe emërohet nga Komisioni për Emërime të Larta Publike, në pajtim me ligjin në fuqi.