Arbëri

Dyshime për shkelje në MPJD, burrë e grua dërgohen në misione konsullore në Gjermani

 

Ministria e Punëve të jashtme ka nxjerrë dy vendime për Hamdi Bërbatovcin dhe bashkëshorten e tij, Dardanë Çitaku, për emërim në misione të ndryshme konsullore në Gjermani. Në rastin e Bërbatovcit janë tejkaluar tri grada diplomatike, të cilat kërkohen për pozitën e shefit të konsullatës, procedurë të cilën ministria e ka arsyetuar me atë se ligji nuk e përcakton cila është grada e parë diplomatike. Por sipas praktikës së deritashme, gradimi nis prej atasheut dhe përfundon në ambasador si grada më e lartë

Me dy vendime në më pak se dy javë, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka sistemuar burrë e grua në dy konsullata në Gjermani, që janë në distancë nga njëra-tjetra rreth 200 kilometra. Me vendimin e datës 8 nëntor Hamdi Bërbatovci që deri tash ka shërbyer si auditor i brendshëm në Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës, është caktuar Shef i konsullatës në Shtutgart. Paraprakisht, MPJD-ja është përkujdesur që atij t’i jepet grada këshilltar, e cila për nga renditja që përcakton ligji, i bie të jenë kapërcyer tri grada, të cilat kalojnë nëpërmjet Komisionit përkatës të MPJ-së. Burrë e grua kanë nisur punën në misionet përkatëse nga 1 dhjetori.

“Z. Hamdi Bërbatovci, me gradën diplomatike Këshilltar, emërohet Shef i misionit konsullor në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Shtutgart/Republika Federale e Gjermanisë, me mandat katër vjeçar. Z. Bërbatovci, fillon realizimin e detyrave dhe obligimeve të tij në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Shtutgart/Republika Federale e Gjermanisë, nga data 01/12/2023”, shkruan në vendimin për Bërbatovcin.