Arbëri

“Ndal femicidit”, protestë edhe në Tiranë për vrasjen e Liridona Ademajt

Dhjetëra qytetarë kanë dalë të diele në protestë, para Ambasadës së Kosovës në Tiranë, duke bërë thirrje kundër vrasjeve të vajzave dhe grave.

“Ndal femicidit”, “denonco dhunën”, “drejtësi për Liridonën’, janë disa nga pankartat që të rinjtë mbajtën në duar, bashkë me foton e Liridona Ademaj Murselit, gruas e cila u vra në Prishtinë, në një vrasje të porositur nga bashkëshorti.

Prezent në protestë është edhe Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Skender Durmishi.

Ndërsa në Prishtinë, protesta u zhvillua para gjykatës, gjatë kohës kur po mbahej seanca ndaj të dyshuarve për vrasjen e nënës së dy fëmijëve. “Pa paqe, nuk ka siguri”, “gratë janë në luftë”, ishin thirrjet e aktivistëve.

Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, bazuar në rrëfimin e Naim Murselit. Policia tha se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.

Por me arrestimin e bashkëshortit të viktimës dhe bashkëpunëtorit të tij, Granit Plavës, rezultoi se Naimi kishte organizuar skenarin për vrasjes e gruas. Ai i kishte ofruar 30 mijë euro Plavës për ta ekzekutuar Liridonën, në sy të fëmijëve të mitur. I përfshirë në ngjarje është edhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i FSK-së.