3 perditesime
21:20

Jashari: Danimarka e sheh Kosovën si shtet serioz

Avokati Arbër Jashari, ka thënë se me marrëveshjen për dhënien me qira të burgut në Gjilan, Danimarka e konsideron Kosovën si shtet serioz.

Juristi ka deklaruar se institucionet daneze nuk funksionojnë mbi parimin e prejardhjes etnike apo kombësisë dhe se ligji është i barabartë për të gjithë.

“Këtë marrëveshje e kam parë më shumë në aspektin pozitiv sepse tregon që jemi shtet serioz pasi që një shtet si Danimarka ku ka mekanizma, institucionet atje nuk funksionojnë mbi parimin e prejardhjes etnike ose kombësisë, ligji është i barabartë për të gjithë”, ka theksuar ai.

Edhe Jashari e ka parë shqetësuese mënyrën se si do të realizohen takimet e këtyre të burgosurve me familjarët e tyre.

“Ka skeptikë që kanë thënë se Danimarka po e bën eksterritorialitetin në Kosovë, është e vërtetë por kjo nuk e cenon asgjë shtetin e Kosovës dhe më e mira është se kjo marrëveshje do të zgjasë vetëm pesë vjet”, ka thënë ai.

Jashari më tej ka thënë se shpreson që kjo marrëveshje nuk do t’i mbipopullojë burgjet e Kosovës.

21:09

Zekaj: Të burgosurve u cenohen të drejtat

Monitoruesja e sistemit të drejtësisë në IKD, Eranda Zekaj, ka vlerësuar se të burgosurve që do të depërtohen nga Danimarka në Kosovë, do t’u shkelet e drejta e privatësisë.

Në debatin mbi dilemat dhe kundërshtimet për dhënien me qira të burgut në Gjilan të zhvilluar në “Konfront” të KTV-së të enjten, Zekaj ka shtruar çështjen e vizitave të familjarëve të të burgosurve.

“Nuk duhet që si shtet demokratik të pranojmë çdo kërkesë përderisa ajo cenon të drejtat themelore të njeriut. Në këtë rast të burgosurve u shkelet e drejta e privatësisë dhe e drejta që ata të kenë respektin e tyre familjar”, ka thënë ajo.

21:01

Muriqi: Kosova ka përfitime nga marrëveshja me Danimarkën

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Avokimin e Politikave Korrektuese, Alban Muriqi, ka thënë se Kosova ka përfitime nga marrëveshja me Danimarkën për lëshimin e qendrës korrektuese në Gjilan me qira.

Sipas tij, kjo marrëveshje ka për synim një partneritet më të gjerë.

Muriqi ka thënë se Danimarka është lidere e mbrojtjes të së drejtave të njeriut dhe vetë ajo nuk do t’i shkelte këto standarde.

“E gjithë kjo marrëveshje është përtej shërbimit korrektues dhe ka në synim një partneritet më të gjerë. Danimarka është një lidere e mbrojtjes të së drejtave të njeriut dhe parimisht vetë Danimarka nuk do t’i shkelte këto standarde. Kosova përfiton shumë nga ky partneritet dhe nuk ka shumë probleme dhe rreziqe. Është përfolur se pse Danimarka e ka zgjedhur Kosovën, ata kanë kërkuar si aleatë me mirëkuptim. Raportet ndërkombëtare kredibile e vlerësojnë sistemin korrektues me një progres të vazhdueshëm”, është shprehur ai.

20:59

Demolli për burgun e dhënë me qira: Danimarka po tregohet raciste

Valentina Demolli nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), derisa ka folur për burgun e dhënë me qira për Danimarkën në Gjilan, ka thënë se shteti danez po tregohet racist, pasi sipas saj, të gjithë të dënuarit që pritet të depërtohen në Kosovë janë të shteteve të treta dhe jo vendas.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Demolli ka thënë se KMDLNJ-ja vazhdon ta kundërshtojë këtë marrëveshje.

“Që nga lajmi se do të ketë një marrëveshje midis Kosovës dhe Danimarkës për lëshimin me qira të burgut në Gjilan, fillimisht ndër të parët ka qenë KMDLNJ-ja që e ka kundërshtuar dhe vazhdon ta kundërshtojë. Për fatin e keq Kosova si një shtet i vogël dhe si një shtet i cili edhe ekonomikisht nuk qëndron aq mirë, çdoherë kur flasim për shuma milionëshe për neve paraqitet sikurse po ndodh një mrekulli. Për të gjithë ata që kanë njohuri për sistemin korrektues, Qendra Korrektuese në Dubravë është më e madhja në Kosovë dhe me kapacitetet që ka, vetëm kjo qendër korrektuese në rast se aty do të mund të shfrytëzohej gjithë ajo hapësirë fizike që ka në prodhimtari”, ka thënë ajo.

Dumolli ka shtuar se marrëveshja si e tillë, ka qenë e fshehur dhe nuk ka pasur informata të mjaftueshme se çka përmban ajo.

“Po ritheksoj që është një marrëveshje që nuk është sjellë nga kjo qeveri aktuale por nga koha kur ministër i Drejtësisë ishte Selim Selimi. Për kaq shumë vite paramendojeni një shtet si Danimarka që ka mundësi që Kosovës t’i japë 210 milionë, nuk do të kishte mundësi të ndërtonte një qendër të re për të mbajtur aty këta të dënuar? E para dhe më shqetësuesja për ne është se Danimarka po tregohet jashtëzakonisht raciste sepse të gjithë këta të dënuar që për mendimin tonë do të depërtohen në Kosovë, asnjëri prej tyre nuk janë danezë, shumica e tyre janë të dënuar të shteteve të treta, si shtetet e Afrikës apo edhe të Arabisë”, ka theksuar Demolli.