Arbëri

Caktohet trupi gjykues i Kushtetueses së Speciales për ankesën e Haradinajt

Descriptive Text

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se është caktuar paneli i Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi referimin e Nasim Haradinajt, që po mbahet i dënuar në Hagë.

Në njoftimin e DHSK-së, thuhet se caktimi i panelit është bërë më 22 nëntor nga kryetarja Ekaterina Trendafilova.

“Ju njoftojmë për çështjen më të fundit në Gjykatën Kushtetuese, e cila mund të shihet në këtë parashtrim. Më 22 nëntor 2023 kryetarja Trendafilova caktoi Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi referimin e dorëzuar nga Mbrojtja e Nasim Haradinajt, më 21 nëntor”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti do të vendosin lidhur me këtë referim të dorëzuar në mënyrë konfidenciale, versioni publik i redaktuar i të cilit do të jetë në dispozicion brenda një jave.