Arbëri

Berisha: Asociacioni do të prodhojë konflikt permanent historik për Kosovën dhe serbët

Sipas deputetit të PDK-së, Hisen Berisha, Asociacioni do të prodhojë konflikt të përhershëm në Kosovë me serbët.

Berisha në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do ta krijojë pushtetin paralel me nivelin qendror. Ai është shprehur se krijimi i tij do të krijojë ambicie të reja për serbët që do të vazhdojë me defunksionalizimin e shtetit.

“Kriteret që po përmbushin do të prodhojnë situata më të acaruara në Kosovë. Implementimi i këtij statuti i Asociacionit, do të krijojë ambicie edhe më të rritura të serbëve në rajon. Do tu japë një hapësirë, atje po krijohet një pushtet paralel me qendrën, harrojeni subordinimin që e ka sot Asociacioni i komunave me qendrën. Ky nuk është asociacion, këtu kemi të bëjmë me një organizim administrativ territorial që është autonom në raport me Kosovën. Këtu do rriten edhe më shumë ambiciet për ta defunksionalizuar Kosovën në shtrirjen e pushtetit. Këtu do prodhohet një konflikt permanent historik për Kosovën dhe serbët në të ardhmen, me këtë lloj statuti dhe këtë Asociacion”, ka thënë ai.

Berisha ka shtuar se Kosova nuk është e rrezikuar nga një luftë frontale me Serbinë, për shkak të mbrojtjes ndërkombëtare.

“Incidente të tilla mund të ketë, por një kuftë frontale sic pretendon Serbia nuk do të ndodhë. Për ta hapë një fron të tillë, janë faktorë të tjerë që e determinojnë sigurinë në rajon dhe Kosova është nën mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka theksuar ai.

Vizitën e shefit të NATO-s në rajon e ka parë dëshpëruese për Kosovën, pasi Berisha ka deklaruar se nga këto vizita sërish presidenti serb u përkëdhel në raportin me Kosovën.

“Vizita e Stoltenbergut në Beograd ishte dëshpëruese. Thirrja ishte e limituar në detyrimet e Kosovës nga dialogu dhe e pranoi ekzistimin e rrezikut për ndonjë kërcënim. Qëndrimet e Vuçiqit treguan se ai prapë u përkëdhel në aspektin diplomatik. Nuk pati asnjë kërkesë që grupi kriminal, i armatosur , i menaxhuar nga Beogradi për të ardhë këtu, nuk u kërkua që t’i dorëzohen Kosovës kriminelët”, ka thënë Berisha.

Sipas Berishës, në Kosovë po mundohen ta kthejnë një protektorat të përhershëm ndërkombëtar.

“Lëvizjet, edhe Stolteberg, deklarimet që u bënë, i shoh si rrezik dhe tendencë për ta kthyer një protektorat të përhershëm ndërkombëtar në Kosovë dhe kjo do ishte shembje e gjithë asaj që është ndërtuar tash e sa vjet”.

E, ai nuk beson se Rusia ka interes të nisë një luftë në Ballkan.

“Rusia me e futë Serbinë në luftë e hendikepon satelitin e vet që e ka në rajon. Nuk është strategjike, incidente mund të ketë”.