Arbëri

Për 9 muaj, IPK-ja largoi 30 e suspendoi 60 policë të dyshuar për vepra penale

Policia

Krahas largimeve nga puna dhe rekomandimeve për suspendim, në IPK kanë thënë se janë pranuar edhe 408 ankesa që janë proceduar në Departamentin e Hetimeve të IPK-së për hetim penal, si dhe 840 ankesa janë dërguar në Drejtorinë e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të Kaluarës në Polici për hetim disiplinor

Rastet kur zyrtarët policorë janë dyshuar për përfshirje në vepra të ndryshme penale janë përcjellë me aksione të Inspektoratit Policor (IPK), si dhe me një numër arrestimesh, pas kryerjes së hetimeve.

Si rezultat i 130 hetimeve për veprimtari kriminale, nga IPK-ja kanë konfirmuar se gjatë nëntë muajve të këtij viti është rekomanduar suspendimi i 60 zyrtarëve policorë.

“Numri i përgjithshëm i personave që janë hetuar nga IPK-ja në nëntëmujorin për vitin 2023, nën dyshimin se janë të përfshirë në veprimtari kriminale, janë 130 persona, në mesin e tyre 14 qytetarë. Bazuar në autorizimet ligjore, për nëntë muaj IPK ka dhënë rekomandimin për suspendim për 60 punonjës të Policisë”, është bërë e ditur në një përgjigje të IKP-së për KOHËN.

Krahas rekomandimit për suspendim janë pranuar edhe 408 ankesa që janë proceduar në Departamentin e Hetimeve të IPK-së për hetim penal, e 840 ankesa janë dërguar në Drejtorinë e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës në Polici për hetim disiplinor, kanë thënë nga Inspektorati Policor.

E në Polici ka bërë të ditur se në periudhën kohore nga 1 janari deri në nëntorin e sivjetmë janë suspenduar nga puna 63 zyrtarë policorë dhe janë larguar 30 prej tyre.

“Suspendimet për vitin 2023 janë 63 zyrtarë. Janë larguar për vitin 2023, 30 zyrtarë”, kanë thënë për KOHËN nga Policia.

Fatmir Qollaku, njohës i sigurisë, ka thënë se këto statistika përbëjnë një tregues për rritjen e besueshmërisë së qytetarëve në Policinë e Kosovës.

“Pikërisht kjo tregon edhe organizatën solide, të konsoliduar mirë, Policisë së Kosovës, si dhe mekanizmat tanë institucionalë brenda sistemit tonë juridik dhe rendit kushtetues, të cilët monitorojnë konform mandatit të tyre punën e policisë. Në raste kur ata identifikojnë shkelje, marrin veprime konform mandatit të tyre, që në esencë tregon se Republika e Kosovës qëndron shumë më mirë se vendet e tjera, dhe, pikërisht ky kontroll ose ky mekanizëm kontrollues është tregues i një demokracie të konsoliduar të Kosovës, dhe e forcon më tepër besueshmërinë e qytetarëve në Policinë e Kosovës”, ka thënë Qollaku.

Më 2022, Inspektorati i Policisë ka arrestuar 108 punonjës të Policisë dhe qytetarë nën dyshimin për përfshirje në vepra të ndryshme penale, ndërsa ka rekomanduar suspendimin nga puna të 164 zyrtarëve policorë.