Arbëri

Palokaj: Evropa më e vetëdijesuar se edhe Serbia ka hezituar t’i zbatojë obligimet

Në zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi dhe me Raportin e Progresit për Serbinë, pala evropiane ka treguar më shumë vetëdijesim se s’është vetëm Kosova ajo që ka hezituar t’i zbatojë obligimet nga dialogu, por edhe Serbia, ka thënë korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj.

“(Emisari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav) Lajçak është në fund të mandatit. Ka më pak se një vit deri në fund dhe mundohet ta nxjerrë atë që është e mundur. Duket se ka marrë parasysh disa vërejtje të Kosovës në atë planin e sekuencimit. Ka më shumë mirëkuptim për Kosovën edhe nga Komisioni Evropian. U pa edhe në Raportin e Progresit ku qartë Serbia u qortua për herë të parë, për pjesët e pazbatuara të marrëveshjes. Madje në aspektin e marrëveshjes së lëvizjes së lirë dhe integrimit të strukturave paralele thuhet se ka kthim serioz prapa. Kështu që duket se pala evropiane është më e vetëdijesuar për të parë se s’është vetëm Kosova ajo që ka hezituar t’i zbatojë obligimet, por siç e tha edhe (zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik) Bislimi se është pala serbe ajo që seriozisht ka dështuar t’i zbatojë obligimet e saj nga marrëveshjet e dialogut”.

Duke komentuar takimet e së enjtes në Bruksel, në kuadër të kryenegociatorëve, Palokaj ka thënë takimet e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, me palën serbe kanë zgjatur më shumë se ato me palën kosovare.

“Pak më gjatë ishin ato të Lajçakut me Serbinë sepse kishte sjellë delegacion shumë të madh për çështje të ndryshme, por siç tha vetë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pala kosovare s’e ka parë të nevojshme të ketë takim trepalësh e ka insistuar se pala serbe nëse ka paqartësi ato mund t’i marrë nga BE-ja”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Duke thënë se nga BE-ja ende s’ka reagim për takimet, Palokaj ka përsëritur qëndrimet evropiane se “palët duhet në mënyrë të qartë dhe të parezervë të pranojnë zbatimin e të gjitha obligimeve nga marrëveshjet, qofshin të sivjetme, por edhe ato të kaluarat”.

Për Kosovën, siç ka thënë ai, vazhdon të konsiderohet bazë obligimi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe.

Palokaj ka shtuar se në ditët në vijim pritet të ketë avancim në marrëveshjen për energji, ndërsa procesi i themelimit të Asociacionit kërkon kohë.

Ai ka deklaruar se nuk mund të ketë takime të nivelit të lartë në periudhë të afërt kohore, për shkak të zgjedhjeve në Serbi. “Aq sa dëgjojmë nga burimet diplomatike, pritet që në mënyrë diskrete, teknike e të kryenegociatorëve të diskutohet për të avancuar zbatimin e marrëveshjes. Por ajo që në BE insistojnë është se s’ka ikje nga obligimet dhe ato janë për të dyja palët”, ka thënë ai.

Palokaj ka thënë se Kosova në bazë të deklaratave ka treguar se insistimin më të madh e ka që sekuencimi i implementimit të marrëveshjeve të jetë paralel dhe jo që Kosova të nisë me Asociacionin e që Serbia të rrijë pa kryer obligime.