Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se është turp që kryeministri Albin Kurti po e përmend ish-presidentin, Hashim Thaçi, nëpër ngjarje.
Reagimi i saj ka ardhur pasi kryeministri Kurti derisa ka folur për idenë e shkëmbimit të territoreve të shtunën, ka thënë se kjo ide pati gjetur mbështetje edhe në Kosovë “nga pararendës të mi, sepse atëherë shihet si zgjidhje e shpejtë mes liderësh autoritarë që mund të flasin për popujt si familje të tyre dhe për territore të shtetit sikur të jenë prona private”.
Çitaku ka thënë se Kurti ka kohë që merret me Thaçin, si në Kosovë ashtu edhe jashtë.
“Kjo është një turp që vetëm sa e shpërfaq vogëlsinë e kryeministrit aktual dhe cektësinë e rezultateve te qeverisjes së sotme. Presidenti Thaçi nuk ka mundësi t’ja kthej sepse është në paraburgim duke mbrojtur UÇK-në. Po ashtu, rezultatet e qeverisjes Thaçi, autostradat, aeroporti, njohjet dhe vetë pavarësia jonë, shihen, preken, udhëtohen, përjetohen, gëzohen. Rezultati i vetëm i Kurtit është nje ure këmbësorësh në një fshat dhe nje mori sanksionesh nga aleatët tonë. I pabesë si me tanët ashtu edhe me të huajt”, ka shkruar ajo në Facebook.