Avokati Tomë Gashi ka kërkuar që të jetë prezent gjatë intervistimit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për rastin “Dehari”, nga Prokuroria Speciale.
Gashi ka thënë se Prokuroria ka kryer në të kaluarën shumë veprime pa prezencën e tij si avokat i familjes Dehari, dhe se tani kërkon të jetë aty kur Prokuroria ta intervistojë Haxhiun.
“Prokuroria në lufte me të vërteten! Tani kërkon të marr në pyetje Ministren e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu e cila qe 7 vite kërkon vetëm drejtësi për vrasjen e Astrit Deharit. Prokuroria ka kryer shumë veprime pa prezencën time, ka bërë rekonstuimin e vendit të vrasjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, ka marr në pyetje deputetin Haki Abazi”, ka shkruar Gashi.
Të enjten, prokurori Afrim Shefkiu ka autorizuar Policinë që ta intervistojë ministren Haxhiu në lidhje me rastin e vdekjes së aktivistit Astrit Dehari. Asaj i kërkohet të sqarohet lidhur me një postim në Facebook ku kishte thënë se “provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund rastin”.