Arbëri

Bunjaku: Raporti i Progresit situatën në veri e paraqet shqetësuese

Hulumtuesja në Lëvizjen FOL, Viona Bunjaku, ka thënë se në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2023 është theksuar se në veri të vendit gjendja nuk paraqitet sikurse në media sa i përket kontrabandës.

Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Bunjaku ka thënë se situata në veri është shqetësuese.

“Raporti ka më shumë vërejtje sesa në vitin e kaluar, kemi vërejtje në aspektin e legjislacionit, reformës në administratën publike ku vitin e kaluar shihet që është bërë një progres, ndërsa këtë vit për administratën publike progresi është zero. Në Raportin e Progresit theksohet se në veri gjendja nuk parashihet në media lidhur me kontrabandën. Aty thuhet se situata në veri nuk është aspak e mirë dhe është shqetësuese pasi që nuk mund të arrihet ende implementimi i ligjeve dhe strategjive të miratuara”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se në këtë raport përmendet edhe nevoja për arritjen e një pavarësie në efikasitetin e gjyqësorit, e po ashtu duhet të ketë një integritet dhe pavarësi për t’u siguruar sundimi i ligjit në tërë territorin.

Bunjaku është deklaruar edhe sa i përket kritikave në Raportin e Progresit lidhur me mediat.

“Dy kritikat kryesore për mediat në Raportin e Progresit është rasti i ‘Klan Kosovës’ që sipas tyre përbën shkelje të lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes dhe gjithashtu ka ndikim shumë të madh edhe për mediat tjera dhe së dyti është qasja në dokumente zyrtare. Qeveria është përmendur në raport se nuk ka dhënë qasje në dokumente zyrtare për gazetarët. Citohet se edhe zyrtarët publikë shtetërorë kanë përdorur gjuhë linçuese dhe të urrejtjes ndaj gazetarëve dhe këto tri pika janë kryesore që asnjëherë më parë në Raportet e Progresit nuk kemi lexuar diçka më të mirë për mediat. Pasi po vihet në pah roli i medias në shoqëri dhe po del që kemi ndërhyrje të Qeverisë në lirinë e shprehjes dhe në lirinë e medias”, ka theksuar ajo.