Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, ka deklaruar se dialogu është bërë kusht në të gjitha lëvizjet e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, e tash sipas tij, është momenti që të shkëputet nga kjo.
Sipas Nikajt, Kosova duhet të tejkalojë këtë situatë dhe t’i realizojë “ato mundësi që ekzistojnë”, duke theksuar se mundësia është tani.
“Dialogu është bërë kusht në të gjitha lëvizjet e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, qoftë me BE-në, SHBA e NATO-n. Kosova duhet të tejkalojë këtë situatë që t’i realizojë ato mundësi që ekzistojnë. Mundësia është tani dhe është koha të lëvizet në këtë drejtim”, ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas Nikajt, Kosova nuk është palë jokonstruktive në dialogun me Serbinë, e ai tha se Bashkimi Evropian duhet t’ia heqë sanksionet dhe të mendojë për sanksionimin e Serbisë.
“Pas ngjarjeve të 24 shtatorit të sulmit terrorist në veri, është e paarsyeshme që BE-ja t’i mbajë masat ndaj Kosovës e të mos i vendosë Serbisë. Kosova nuk është pala që është treguar jokonstruktive në çfarëdo raporti me BE-në...Kemi ripërsëritur këtë kërkesë, e Lajçaku e ka pranuar kërkesën tonë, por s’është ai që vendos për këto masa. E çdo ditë që kalojmë nën masa të BE-s është e padrejtë, Qeveria duhet të prioritizojë sqarimin sa më shpejtë”, ka theksuar ai.
Sipas zyrtarit të PDK-së, aktualisht është hera e parë që është prodhuar një draft i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e nga kjo, siç ka thënë ai, ky draft do të jetë “i propozuar në linjë me parimet e përsëritura”.
“Është hera e parë që është prodhuar një draft i statutit, i diskutuar me palët dhe ka pajtueshmëri në princip me palë. Tash të shihet se ku po shkon procesi dhe të presim vlerësimin e Gjykatës Kushtetetuese pa paragjykuar atë që mund të jetë pjesë e draftit”, ka shtuar ai.
Për takimin e së martës mes partive opozitare dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Nikaj ëhtë shprehur se kërkesat e zyrtarit evropianë ishin konstate.
“Ai kërkon të ketë bashkërendim më të gjerë për procesin e dialogut, që dialogu të kuptohet në mundësinë për të ecur para. Opozita s’është e përfshirë në procesin e dialogut, e s’pati kërkesë specifike nga Lajçaku. Kosova është në një moment të rëndësishëm për dialogun dhe anëtarësimin në BE”, ka theksuar anëtari i Kryesisë së PDK-së.