Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, janë marrë në mbrojtje nga Policia e Kosovës.
Kjo është konfirmuar nga zyrtarët për media të këtyre partive.
"Po, me rekomandim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i është ofruar një ekip i mbrojtjes së afërt të Policisë", ka thënë Valmir Klaiqi, drejtor i Zyrës së komunikimit në PDK.
Ndërkohë këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.
“Po, lajmi është i vërtetë! Për të gjitha informacionet e tjera, ju lutem kontaktoni Policinë e Kosovës”, ka theksuar Halimi.
Sipas raportimeve kjo është bërë për shkak të kërcënimeve të grupeve terroriste serbe ndaj politikanëve në Kosovë, pas sulmit në Banjskë të Zveçanit.
KOHA ka pyetur edhe Policinë e Kosovës lidhur me këtë, dhe posa të marrë një përgjigje teksti do të përditësohet.