Arbëri

Kurti: Propozimi parasheh që Kushtetuesja ta shqyrtojë draftin për Asociacionin

Kryeministri Albin Kurti nuk ka zbuluar përmbajtjen e draftit evropian për Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Detaji i vetëm që e kanë shpalosur për dokumentin, gjatë një konference shtypi një ditë pas takimeve në Bruksel, është se ai e përmban dispozitën që parasheh se drafti do t’i nënshtrohet shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, nuk kanë qenë në gjendje të garantojnë të premten se drafti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i propozuar nga pesëshja e diplomatëve euro-amerikanë, është në përputhje të plotë me Kushtetutën.

Detaji i vetëm që e kanë shpalosur për dokumentin, gjatë një konference shtypi një ditë pas takimeve me Bruksel, është ai se e përmban dispozitën që parasheh se drafti do t’i nënshtrohet kontrollit të Gjykatës Kushtetuese.

Të enjten, përmes një komunikate për media nga Qeveria e Kosovës, është bërë e ditur se kreu i saj është pajtuar që ta nënshkruaj draftin, së bashku me marrëveshjet e dakorduara në shkurt në Bruksel e atë në Ohër një muaj më vonë.

Megjithëkëtë, kryeministri Kurti, tha se i është kërkuar nga emisarët euro-amerikanë që të mos shpalosë detaje të planit të propozuar më 21 tetor. Por, nga ta, tha Kurti se i është thënë se “drafti për vetmenaxhim që e kanë sjellë është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”.

“Nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, ka thënë Kurti.

Por, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se nuk mund ta bëjë vlerësimin nëse ky draft është në përputhje me Kushtetutën.

“Sponsorët e këtij dokumenti kanë deklaruar, kanë siguruar se gjatë përpilimit të propozimit të tyre, i cili nuk është propozim merre ose lëre, ata janë kujdesur në maksimum që të përmbushin kushtet e z. Kurti që në plotni të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i dhjetorit të vitit 2015. Por, prapë ne nuk e kemi kompetencën që të konstatojmë se a përbën ndonjë formulim brenda shkelje të Kushtetutës apo jo”, ka thënë ai.

Tek foli për kushtet që kryeministri Albin Kurti i ka pasur për hartimin e këtij drafti, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se ato janë marrë parasysh nga emisarët euro-atlantikë.

Sjelljen e draftit nga BE-ja në vend se ai të hartohej nga institucionet e Kosovës, zëvendëskryeministri Bislimi e ka arsyetuar me mospasjen e mundësisë për të “stopuar” partnerët që të ndërmarrin iniciativat e tyre.

Sipas Bislimit, nuk kanë mundur që të hartojnë draftin për shkak se nuk kanë pasur dakordim nga Serbia për kornizat që Kosova i ka vendosur hartimit të draftit. Ai tha se kanë qenë të gatshëm të angazhohen në hartimin e “dokumentit që ka të bëjë me vetëmenaxhimin e komunitetit serb” në rast se do të ishte siguruar se do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në harmoni me letrën e Frederica Mogherinit drejtuar ish-kryeministrit Isa Mustafa me 24 shkurt të vitit 2015, dhe me qëndrimin publik të SHBA-së të publikuar në Koha Ditore.

“Këto kanë qenë kornizat. Ne kemi kërkuar dakordim që këto do të jenë ato limitet brenda të cilave shkojmë. Natyrisht që Serbia nuk ka pranuar të hyjmë në këtë diskutim dhe ne nuk kemi mujt me fillu me punën dhe rreth kësaj. Në ndërkohë ne nuk mund të stopojmë partnerët e tjerë që të ndërmarrin iniciativat e tyre”, ka thënë Bislimi.

Në konferencën për media, kryeministri Albin Kurti, paraprakisht ka folur për takimin që të enjten ka zhvilluar me liderët evropian: Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajçak.

Kurti përsëriti kundërshtimin që Serbia ka pasur në vazhdimësi për të nënshkruar marrëveshjet e arritura. Sipas tij, presidenti serb është penduar që është pajtuar për to.

“Pas më shumë se një dekade të insistimit në Asociacion, në Zajednicë, Serbia dje ka refuzuar që të nënshkruante një draft për vet menaxhim që është sjellë nga vetë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se refuzimi për të nënshkruar lidhet me përmbajtjen që kanë dokumentet e marrëveshjes e draftit.

Po kështu ka thënë se të enjten nga Brukseli, presidenti i Serbisë ka sulmuar Kosovën duke thënë se nuk e njeh integritetin e saj. Sipas tij, mosnjohjen e integritetit, pavarësisë e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara, Vuçiqi e ka përfshirë edhe në letrat që dërgon.

“Është qartazi tendencë për sulm ndaj Kosovës deklarata e tillë e papërgjegjshme se integriteti territorial i Kosovës na qenka e papranueshme. Pikërisht Federata ruse para sulmit në Ukrainë thoshte që nuk e pranon integritetin territorial të Ukrainës. Kosova më 24 shtator ka përjetuar cenim të integriteti territorial, të sovranitetit shtetëror dhe të sigurisë kombëtare”, ka thënë Kurti, duke shtuar se në vend të kërcënimeve Serbia do të duhej të ekstradonte në Kosovë grupin paraushtarak serb, të drejtuar nga Milan Radoiçiq.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se është koha që Serbia të mbahet përgjegjës për sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe për refuzimin e nënshkrimit të marrëveshjeve.

“Për atë që dakordohemi duhet ta nënshkruajmë. Nënshkrimi është pranim dhe nënshkrimi është garanci për zbatim”, ka insistuar ai.

Në anën tjetër, në takimin e zhvilluar të enjten, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se nuk kanë diskutuar për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës. Por, tha se ka “një dakordim informal” që ato janë të padrejta e të dëmshme.

“Tash se si ata do ta gjejnë mekanizmin për largimin e këtyre masave dhe momentin e duhur mendoj që i takon Komisionit Evropian. Por ajo që është e pasaktë është që për këtë kërkohet votim në Këshillin e BE-së”, ka thënë Bislimi.

Kryeministri Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të enjten takuan ndaras fillimisht liderët evropianë. Pas takimeve, nga Bashkimi Evropian thanë se palët nuk kanë pasur gatishmëri për t’u pajtuar dhe se kanë vendosur parakushte për njëra tjetrën.