Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka akuzuar kryediplomaten Donika Gërvalla se “u ka vënë litarin” ambasadorëve të Kosovës.
Sipas saj, Gërvalla është ministre e paditur dhe e rrezikshme, e cila po mban peng të gjithë korin diplomatik të Kosovës.
“Gërvalla u ka vënë litarin ambasadorëve të Kosovës. Një ministre e paditur dhe e rrezikshme ka kapur për fyti e po e mban peng krejt korin diplomatik të Kosovës. Si asnjëherë në histori, ajo ua ka ndaluar ambasadorëve të Kosovës komunikimin me jashtë, veprimtaria kryesore që ata duhej të bënin”, ka shkruar ajo në Facebook.
Lushaku më tej ka thënë se duhet të jetë amatore në diplomaci për të lënë ambasadorët pa informacione e pa mbështetje.
“Duhet të kesh zell totalitar për të imponuar jotransparencën dhe kontrollin deri në këtë nivel. Duhet të jesh amatore në diplomaci të lësh ambasadorët pa informacione minimale; pa mbështetje e pa ura komunikimi që do të përfitonte politika jonë e jashtme. Raportet e ambasadorëve tanë në SHBA dhe Gjermani flasin për një gjendje të mjerë të trajtimit nga Ministria e Gërvallës”, është shprehur më tej ajo.