Në prag të vizitës së delegacionit perëndimor për dialogun Kosovë-Serbi, nga ekzekutivi kosovar kanë thënë se nuk kanë ndryshuar qëndrimin për rrugën që duhet ndjekur drejt zgjedhjeve të reja në komunat veriore. Ndërkaq kërkesën e Qeverisë, që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist në Banjskë, e ka përsëritur edhe ministri i Pushtetit Lokal, Krasniqi. Njohës të zhvillimeve thonë se, nëse gjenden prova, kjo situatë nuk duhet të kalojë pa ndëshkim të Serbisë
Qeveria e Kosovës nuk ka ndryshuar qëndrimin përkitazi me rrugën që duhet ndjekur drejt zgjedhjeve të reja në komunat veriore.
Në prag të vizitës së ndërmjetësit për dialogun Kosovë-Serbi dhe përfaqësuesve nga pesë shtetet e QUINT-it, zyrtarë qeveritarë kanë thënë se serbët duhet t’i largojnë kryetarët vetëm përmes peticionit, për të cilin qëllim është miratuar edhe një udhëzim administrativ. Por BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar vendimmarrje të shpejtë për zgjedhje të reja, në mënyrë që të shmangen tensionet.
“Si qeveri jemi të përkushtuar në përmbushjen e të gjitha obligimeve që janë në tavolinën tonë dhe që duhet t’i përmbushim që të japim shembullin e mirë të kujdesit për secilin qytetar dhe proces. Si qeveri kemi iniciuar draftimin e udhëzimit administrativ. Ai është në fuqi dhe secili qytetar apo grup qytetarësh që dëshiron ta shfrytëzojë këtë mundësi ligjore për largimin e kryetarit nga zyra, kudo qoftë mund ta shfrytëzojnë. Deri tash s’ka informacion se ka inicim peticioni për largim kryetarësh. Kryetarët në veri mbesin në detyrë, të plotfuqishëm në implementimin e mandatit të tyre kushtetues dhe ligjor”, ka thënë ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në emisionin “60 Minuta” të KTV-së. “E kemi parasysh se zgjedhjet e fundit ishin me pjesëmarrje të vogël të qytetarëve, për arsye të njohura, që Serbia shantazhoi dhe frikësoi qytetarët serbë, por kryetarët janë rezultat i procesit demokratik dhe kushtetues. Largimi i tyre duhet të bëhet me mjete demokratike, kushtetuese dhe ligjore dhe peticioni është forma më e mirë për ta ruajtur demokracinë dhe për të garantuar siguri juridike për kryetarët”.
Rruga përmes udhëzimit dhe kërkesa e Listës Serbe për dorëheqje të kryetarëve
Sipas udhëzimit për të cilin ka folur Krasniqi, inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës mund ta bëjë secili qytetar apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse. Por kërkesa duhet mbështetur nga së paku njëzet për qind (20%) e votuesve të regjistruar, në mënyrë që të organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës.
“Qytetarët e interesuar për inicimin e procedurës së largimit të kryetarit të komunës nga funksioni duhet të themelojnë një grup nismëtar. Grupi nismëtar përbëhet nga tre ose më shumë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse”, thuhet në nenin 5 të udhëzimit.
Grupi nismëtar para se të fillojë më mbledhjen e nënshkrimeve në mbështetje të kërkesës, duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal dhe mund të njoftojë KQZ-në. Verifikimin e nënshkrimeve duhet ta bëjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në përputhje me legjislacionin, ku më pas e njofton kryesuesin e Kuvendit Komunal dhe Ministrinë me vlerësimin përfundimtar.
Sipas udhëzimit, nëse shumica e votueseve të komunës përkatëse nga lista përfundimtare e votuesve, 50+1 për qind votojnë për largimin e kryetarit, konsiderohet se kryetari i komunës është larguar nga funksioni.
Lista Serbe së fundmi u tërhoq nga kushtet e mëhershme për pjesëmarrje në zgjedhjet komunale në veri - që ishin largimi i njësive speciale nga veriu dhe themelimi i Asociacionit. Në koordinim me Beogradin zyrtar, ky subjekt ka kërkuar dorëheqje të kryetarëve për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve.
Lista Serbe pati bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit, ku për herë të parë në katër komunat veriore u zgjodhën kryetarë shqiptarë. Vendosja e tyre në objektet komunale u përcoll me protesta të cilat përshkallëzuan në përplasje mes protestuesve të dhunshëm dhe policisë së Kosovës. Epiqendra e tensioneve ishte Zveçani, ku si pasojë e dhunës së ushtruar dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u lënduan. Cak i sulmuesve të dhunshëm kanë qenë edhe gazetarët.
Plan i ri për bisedimet
Veprime në funksion të shtensionimit të situatës në veri dhe plan të ri për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pritet të kërkojnë përfaqësuesit evropianë e ata amerikanë në fundjavë. Këshilltarët e udhëheqësve të Francës, Gjermanisë e Italisë, si dhe emisarët nga BE-ja e SHBA-ja, përkatësisht, Emmanuel Bonne, Jens Ploetner, Francesco Talo, Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar, do të vizitojnë Kosovën e Serbinë të shtunën. Sipas njoftimit nga Brukseli, pesëshja ka për qëllim progresin konkret në zbatimin e marrëveshjes dhe shtensionimin e situatës. Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, paralajmëroi se Serbisë do t’i kërkohet që t’i mbajë përgjegjës autorët e sulmit të 24 shtatorit, ndërkohë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit do të jetë kërkesë për të dyja palët. Pas Gjermanisë, Britanisë së Madhe e SHBA-së, së fundmi edhe Franca e ka emëruar një emisar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Francës, emërimi i Rene Troccazin është në përputhje me përfshirjen e shtuar të Francës në rajon në sfondin e afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në, “të cilin e mbështesin”.
Vizita e delegacionit perëndimor vjen pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit për të cilin Kosova ka bërë përgjegjëse Serbinë.
Kërkesën e Qeverisë që Serbia të ndëshkohet për aktin në veri e ka përsëritur edhe ministri i Pushtetit Lokal, Krasniqi.
“Këto janë fakte, nga 24 shtatori e tutje asgjë s’është e njëjtë. Duhet të kemi parasysh që në situatën në të cilën jemi, ka një adresë që është fajtore kryesore për gjithë këtë situatë, nga 5 nëntori 2022 kur kryetarët e atëhershëm dhanë dorëheqje dhe policët e institucionet e tjera, të gjitha kishin një plan të dedikuar për të zbehur autoritetin e Republikës së Kosovës në secilin cep të saj”, ka thënë ai.
Kaplan: Situata e paqëndrueshme, të arrihet një zgjidhje e negociuar
E njohës të zhvillimeve thonë se, nëse gjenden prova kjo situatë nuk duhet të kalojë pa ndëshkim të Serbisë.
“Nëse gjenden prova për përfshirjen e Serbisë në sulm, qoftë edhe indirekt, do të prisja që shtetet perëndimore të miratonin masa ndëshkuese ndaj Serbisë. Rasti Banjska tashmë e bën të qartë se sa e paqëndrueshme është situata aktuale në Kosovë dhe sa e rëndësishme është të arrihet një zgjidhje e negociuar ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Richard Caplan, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Oksford. “Nuk e di se çfarë dinë apo mendojnë aleatët ndërkombëtarë të Kosovës për rolin e Serbisë në sulmin në Banjskë. Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se sulmi ishte i ‘koordinuar dhe i sofistikuar’ dhe kishte për qëllim ‘destabilizimin e sigurisë në rajon’. Megjithatë, SHBA-ja ende nuk e ka konfirmuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të Beogradit”.
Pavarësisht denoncimit të Serbisë, në BE e kanë përsëritur disa herë se janë në pritje të përfundimit të hetimeve për ta konsideruar vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë. Ndërkaq lënien në fuqi të masave për Kosovën e kanë arsyetuar me atë se nuk janë ndërmarrë të gjithë hapat e domosdoshëm për shtensionim të situatës në veri.