Pavarësisht shtimit të përpjekjeve të ndërkombëtarëve për t’i rikthyer palët në tryezën e dialogut, udhëheqës të Kosovës thonë se prioriteti i vetëm për momentin është fuqizimi i institucioneve të sigurisë në veri të vendit, në mënyrë që të shmanget një sulm tjetër nga Serbia. Në muajin kur pritet që pesëshja e QUINT-it ta vizitojë rajonin, edhe njohës të rrethanave kanë folur për domosdoshmërinë e ndryshimit të qasjes në dialog pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit
Prioritet për institucionet e Kosovës do të jetë rritja e sigurisë në veri përmes fuqizimit të policisë, me gjithë paralajmërimet e Perëndimit për t’i dhënë shtytje të re dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në një intervistë për “Deutche Welle”, të enjten, ka thënë se vazhdimi i dialogut sa për t’u fotografuar është i panevojshëm. Sipas tij, BE-ja nuk po e vë në dukje përgjegjësinë e Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë.
“Nëse do ta thërrasin Vuçiqin në Bruksel me kryeministrin Kurti sa për ta bërë një fotografi, kjo, për besë, duket shumë e panevojshme në këto momente. Krejt çka është duke menduar Kosova tash është një gjë, që ta shumëfishojë forcimin e policisë dhe të institucioneve të sigurisë në atë pjesë të Kosovës që ne ta evitojmë një sulm të ardhshëm që vjen nga Serbia. Kjo është ajo për të cilën ne po mendojmë tash për tash. E dialogut politik mendoj që do t'i vijë koha herë do kur”, ka thënë Konjufca. Ai ka folur për rrezikun e një sulmi tjetër dhe një konflikt që do të shkaktonte luftë në Ballkan.
“Rreziku është gjithmonë aty, por duhet ta kuptoni pse. Nuk është për shkak që ne po mbrohemi, por për shkak që Serbia po sulmon”, është shprehur Konjufca, duke shtuar se sulmi i 24 shtatorit ishte sulm terrorist dhe akt agresioni i shtetit të Serbisë mbi Republikën e Kosovës.
Sipas tij, edhe faktori ndërkombëtar po bindet që potenciali më i rrezikshëm i destabilizimit të krejt Ballkanit dhe Kosovës është Serbia.
“Sepse, e para, ajo strehon grupe terroriste brenda, e dyta, ka një lidhje të qartë të mbështetjes nga ushtria e Serbisë të këtij grupi, trajnimet, poligonet ku kanë ushtruar, bazat ushtarake, të cilat i kanë përdorur, armatimi të cilin e kanë përdorur, ka një lidhje të drejtpërdrejtë me shtetin e Serbisë. Pra, instanca të caktuara të shtetit të Serbisë, bile unë supozoj deri edhe te presidenti, duhet ta kenë ditur për këtë sulm ndaj Kosovës”, është shprehur Konjufca.
“Dialogu në qorrsokak”
Ndërkaq njohës të zhvillimeve thonë se pas rastit “Banjska” gjithçka ka ndryshuar edhe sa i përket dialogut, i cili deri tash nuk prodhoi rezultatet e proklamuara.
“Mendoj se dialogu ashtu siç është zhvilluar deri tash ka rënë në qorrsokak. Fakti është se Serbia nuk është e gatshme t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Çmimi që kërkon- qeverisja e veçantë e serbëve në Kosovë, veçanërisht në veri, është thjesht një çmim i lartë për Kosovën dhe për amerikanët e evropianët gjithashtu. Mendoj se duhet të shikojmë zvogëlimin e objektivit të dialogut duke u kthyer në qasje më teknike dhe më pak politike, sepse Serbia qartësisht nuk është e gatshme për asnjë lloj normalizimi politik. Ajo po i përgatit njerëzit e saj për luftë, jo për normalizim politik”, ka thënë eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer. Sipas tij, ende nuk ka kaluar rreziku për tensione të tjera teksa vlerëson se Serbia me veprimet e saj shkoi në drejtim të kundërt me ato që është pajtuar në dialogun e Brukselit.
“Unë mendoj se një nga objektivat e sanksioneve evropiane dhe amerikane kundër Serbisë është që të sigurohen që kjo të mos ndodhë më. Mendoj se është gjithashtu shumë e rëndësishme që autorët t'u dorëzohen autoriteteve të Kosovës. Fakti është se marrëveshja e vitit 2013 parasheh që sistemi gjyqësor i Kosovës të jetë i vlefshëm në të gjithë territorin e Kosovës dhe Serbia të pajtohet me këtë. Nuk ka asnjë justifikim që këta njerëz të mos iu dorëzohen autoriteteve të Kosovës, përfshirë Radoiçiqin”, ka shtuar ai.
Serwer: Problemi te Brukseli
Duke folur për sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe refuzimin që masa të tilla t’i vendosen edhe Serbisë, ish-diplomati amerikan Serwer ka vlerësuar se shtete brenda unionit do ta bllokonin vendimmarrjen për Serbinë.
“Mendoj se veçanërisht Brukseli është një problem, sepse i duhet unanimiteti i shteteve anëtare për sanksione serioze dhe mendoj se qartësisht edhe Hungaria dhe Sllovakia do të përpiqeshin të bllokonin çdo lëvizje të tillë. Ka qenë gjithmonë e vështirë për t'i bërë evropianët të bien dakord për një sanksion. Ata u pajtuan për sanksionet ndaj Kosovës, por rrethanat që i ngritën ato sanksione janë avulluar. Mendoj se ka ardhur koha që BE-ja të vlerësojë se sanksionet ndaj Kosovës nuk u duhen më. Sa u përket amerikanëve, unë jam duke pritur që të zbresin gjuajtjet dhe e di që ata e dinë se kush është përgjegjës, por nuk e di nëse janë të gatshëm të ndërmarrin veprime serioze kundër Serbisë”, është shprehur Serwer.
Pavarësisht denoncimit të Serbisë, në BE e kanë përsëritur disa herë se janë në pritje të përfundimit të hetimeve për të konsideruar vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë. Ndërkaq lënien në fuqi të masave për Kosovën e kanë arsyetuar me atë se nuk janë ndërmarrë të gjithë hapat e domosdoshëm për shtensionim të situatës në veri. Megjithëkëtë, përpjekja e tyre për dialog nuk është ndalur. Kësisoj, pesëshja e vendeve të QUINT-it bashkë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pritet ta vizitojnë rajonin në fund të këtij muaji, në përpjekje për t’i dhënë shtytje të re dialogut mes Kosovës e Serbisë. Lidhur me vizitën e tyre, të mërkurën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se beson që QUINT-i dëshiron që në një mënyrë tjetër ta zgjidhë krizën në Kosovë.
Pas Gjermanisë, Britanisë së Madhe e SHBA-së, së fundi edhe Franca e ka emëruar një emisar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor.
Sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Francës, emërimi i Rene Troccazin është në përputhje me përfshirjen e shtuar të Francës në rajon në sfondin e afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në, “të cilën e mbështesin”. Ata kanë thënë se i dërguari i posaçëm do të përfshihet në çështjet më të rëndësishme të politikës rajonale, në koordinim me homologët e tij evropianë dhe amerikanë. Troccazin është diplomat i njohur në Francë. Ka shërbyer si ambasador i Francës në Qipro më herët, por ka pasur edhe poste të tjera në ambasada të ndryshme.