Arbëri

Osmani: Fillimisht sanksione ndaj Serbisë, pastaj dialogojmë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se fillimisht duhet të ketë sanksione ndaj Serbisë, pastaj të fillohet me dialog, në samitin e liderëve evropianë në Spanjë.

“Nuk ka arsye për t’u takuar para se të ndërmerren sanksionet ndaj Vuçiqit, fillimisht sanksionet dhe më pas mund të flasim për të tjerat”.

Osmani ka theksuar se nuk ka të konfirmuar takime të veçanta me liderë, por se shpreson që për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të flasë në samitin e hapur për të gjithë ata.

“Nuk kemi takime të ndara të konfirmuara, por jam e sigurt se do ta kem mundësinë sepse shumica e diskutimeve në këtë samit do bëhen derisa jemi të gjithë në sallë, prandaj shpresoj se do ta kem mundësinë të diskutojmë për këto”, ka shtuar ajo.

Osmani është shprehur optimiste edhe për qëndrimin e Spanjës ndaj Kosovës dhe dënimin e veprimeve të Serbisë.

“Spanja është shtet që po kontribuon në paqe dhe stabilitet në tërë kontinentin, shpresoj se do ta kuptojnë se mbështetja e një agresori për të cilët ka prova të qarta nga 24 shtatori, nuk do të ndihmojë paqen dhe stabilitetin. Shpresoj se Spanja do ndjekë linjën e shteteve të tjera që të marrin masa kundër Serbisë për këtë akt që ka kryer jo vetëm ndaj Kosovës por edhe kundër paqen dhe sigurisë së tërë Evropës”.

Osmani u kërkon liderëve evropianë ndihmë për të siguruar kufirin me Serbinë

Presidentja Vjosa Osmani do t’u kërkojë liderëve evropianë mbështetje për të siguruar kufirin Kosovë-Serbi.

Ajo ka theksuar se aktualisht Kosovës më së shumti i nevojitet siguria rreth kufijve të saj. Kërkesën do t’ua parashtrojë gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian në Granada, Spanjë.

“Kosovës tani i duhet më shumë siguri rreth kufijve të saj. Jam këtu për të kërkuar mbështetjen e liderëve evropianë për të siguruan kufirin tonë me Serbinë, sepse ajo është fundamentale që të ruhet paqja dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar ajo.

E, ka shtuar se në këtë samit Serbia nuk ka vend.

“Nuk mendoj se vendi i Serbisë është në Komunitetin Politik Evropian... kjo është tryezë për shtetet që mendojnë njëjtë, që besojnë në paqe, stabilitet, që mbrojnë vlerat evropiane. Serbia nuk është një nga to. Kushdo që ka pasur ndonjë dyshim se ajo është nga to, është bindur më 24 shtator se ky është një shtet që jo vetëm se do që të sulmojë fqinjët e saj por edhe vlerat që paraqesin BE-ja dhe NATO”, ka thënë presidentja e Republikës së Kosovës.

Osmani është shprehur se pa sanksionimin e Serbisë, procesi i dialogut abuzohet duke e normalizuar figurën e Vuçiqit si agresor.

Ajo ka përsëritur fuqishëm se hapi i parë është sanksionimi i Serbisë dhe i dyti, që BE-ja t’i japë garanci sigurie Kosovës.

“Askush nuk duhet t’i japë atij (Vuçiqit) mundësinë që të duket si lider normal evropian, sepse ai është një agresor”.

VIDEO: