Asnjë hyrje në Kosovë nuk është lejuar nga pikat kufitare në veri, Jarinje dhe Bërnjak. Ndërkaq, mërgimtarët që kanë hyrë në Kosovë nga pikëkalimet e tjera, kanë thënë të kenë parë autokolona ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovës. E qytetarë që jetojnë afër zonës kufitare, kanë shprehur brengën për sigurinë
Leposaviq, Kamenicë, Podujevë, 30 shtator – Si rrallëherë më parë, në njërën prej pikave më të frekuentuara kufitare, të shtunën pati pak njerëz që dolën nga Kosova për në Serbi, e asnjë që hyri.
Zvogëlimit të fluksit të kalimtarëve i parapriu një vendim i Policisë së Kosovës për ta mbajtur tërësisht të mbyllur në Jarinjë hyrjen nga Serbia për në Kosovë, pas sulmit terrorist të së dielës në Banjskë.
Ekzaminim i hollësishëm i bëhet secilës veturë që kalon drejt territorit serb. E automjetet e transportit publik, që më parë ndaloheshin matanë kufirit, tash ndalesën e kanë te pikëkontrolli, ku udhëtarët zbrisnin nga autobusët dhe kalonin këmbë në Serbi.
Krahas Policisë së Kosovës dhe frekuentimit të disa automjeteve të EULEX-it, aty nuk u pa prani edhe e trupave të KFOR-it. Një ditë më parë, NATO-ja njoftoi për autorizimin e trupave shtesë në Kosovë. Kjo u bë pak para se nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Serbisë t’i kërkohet tërheqja e trupave ushtarake të dislokuara përreth brezit kufitar me Kosovën.
Prani të KFOR-it nuk pati as përgjatë rrugës drejt Leposaviqit. Edhe në Mitrovicë të Veriut, për sigurinë kujdeset Policia e Kosovës.
Pas sulmit Banjskë, Policia ka rritur praninë në veri edhe me pjesëtarë të Njësisë speciale, largimi i të cilëve u kërkua muaj më parë nga faktori ndërkombëtar në funksion të shtensionimit të situatës, pas protestave të serbëve lokalë kundër vendosjes së kryetarëve të rinj të katër komunave veriore në objekte komunale.
Vetëm pikëkailimet në Jarinjë dhe Bërnjak janë mbyllur, për çështje sigurie pas sulmit në banjskë.
Qytetarët kanë hyrë në Kosovë nga pikëkalime të tjera.
Arben Mekaj, që të shtunën ishte një prej qindra mërgimtarëve që hyri në Kosovë nëpërmjet pikës kufitare me Serbinë në Dheun e Bardhë, tha që gjatë rrugëtimit ka parë lëvizje të makinerisë ushtarake serbe.
Ai theksoi se këto konvoje po qarkullonin në drejtim të Beogradit.
“Andej kufirit kemi parë tanke të ushtrisë duke shkuar nga ana e Shkupit, duke shkuar për Beograd”, ka thënë Mekaj.
Krahas mërgimtarëve, pati edhe qytetarë nga Bujanoci që kaluan për në Kosovë. Disa prej tyre theksuan se gjatë rrugës nuk kanë vërejtur lëvizje të pazakonta.
“Unë nuk kam vërejtje diçka që ka pasur të pazakontë”, ka thënë Fadil Shabani.
E një qytetarë tjetër nën kushte anonimiteti i ka treguar KOHË-s për situatën gjatë së dielës në Bujanoc.
“Sot është qetë, nuk ka diçka. Të dielën ka qenë pak ashtu, në mbrëmje ka pasur tanke, lëvizje të ushtrisë. Se jemi afër Bonstilit serb”, ka thënë ai.
E banorët e fshatit Karaçevë të Kamenicës, që ndodhet afër kufirit me Serbinë, situatën gjatë së shtunës e përshkruan si të qetë dhe të zakonshme, ndonëse një ditë më parë SHBA ngriti shqetësimin për dislokim të madh të trupave serbe përgjatë kufijve me Kosovën
Por disa prej tyre shprehën edhe një brengë.
“Policia e falënderoj për punën që ka bërë në Mitrovicë, por te ne nuk është e lehtë. Edhe ne jemi të rrethuar me Serbinë”, ka thënë banori Rabit Kastrati.
Si rrjedhojë e shqetësimit për sigurinë e përgjithshme, banorët kërkuan që në fshat të ketë prani më të shtuar të Policisë së Kosovës si dhe të trupave të KFOR-it.
Lëvizje të makinerisë ushtarake serbe në drejtim të Prokuples në Serbi thanë të kenë parë të shtunën edhe disa nga mërgimtarët e paktë që të shtunën e përdorën pikën kufitare të Merdarit për të hyrë në Kosovë.
Një nga ta theksoi se ka parë disa konvoje të kamionëve, përfshirë edhe tanke, që po lëviznin nga afërsia e kufirit të Kosovës. E një gjë të tillë u shpreh se nuk e ka parë ndonjëherë më parë.
“Përpara nuk kemi vërejt kurrgjë. Këtë herë po, nja 2-3 vende ka pasë konvoje të ushtrisë t’u shku në drejtim të Prokuples”, ka thënë Nexhat Maloku.
Sipas tij, kanë qenë tri grupe me nga pesë deri në gjashtë kamionë që po shkonin drejt Prokuples, qytet ky i Serbisë që ndodhet rreth një orë vozitje larg Merdarit.
Të tjerë mërgimtarë, që nuk pranuan të flasin para kamerës, treguan se gjatë mesditës panë kamionë të ngarkuar me tanke, të cilëve, sipas tyre, u printe policia.
Por megjithëkëtë, ata thanë të mos kenë pasur ndonjë problem as gjatë kalimit nëpër Serbi dhe as në anën serbe të kësaj pike kufitare.
Pas sulmit të së dielës në fshatin Banjskë, dy pika kufitare me Serbinë u mbyllën për hyrjet drejt Kosovës. E në Merdar, automjete me targa serbe të shtunën vazhdimisht kanë bërë hyrje teksa Policia e Kosovës ia kontrolloi bagazhet pothuajse secilit prej tyre.