Gazetari i njohur gjerman, Michael Martens, e ka cilësuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama “si më të mirin që ka pasur Serbia që nga koha e Nikola Pashiqit”.
Edi Rama is arguably the best Prime Minister Serbia had since Nikola Pašić.
— Michael Martens (@Andric1961) September 30, 2023
Rama është kritikuar në publik ditëve të fundit, që kur u shpreh se në veri të Kosovës duhet që KFOR-i ta marrë kontrollin.
Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh. Serbia pati dislokuar ushtrinë përgjatë kufirit me Kosovën dhe menjëherë ka nxitur reagimet e ndërkombëtarëve që i kanë kërkuar largimin. Të shtunën janë vënë re lëvizje tërheqëse, por ende s’ka zyrtarizim.
Në reagimet e tij, Rama ka akuzuar Serbinë dhe e ka kritikuar për veprimet, ndërsa ka kërkuar në vazhdimësi edhe “reflektime prej Kosovës”, sidomos në anën e dialogut.
Pashiq ishte politikan serb. Gjatë karrierës së tij politike gati katërdekadëshe, ka shërbyer pesë herë si kryeministër i Serbisë dhe tre herë si kryeministër i Jugosllavisë. Konsiderohet ndër figurat më me ndikim në historinë serbe të shekullit të 20-të.
Lidhja më e përmendur me shqiptarët ishte kur më 17 shtator 1914, me Esad Pashë Toptanin nënshkroi në Nish traktatin për aleancën serbo-shqiptare, në formë sekrete. Traktati kishte 15 pika që fokusoheshin në krijimin e institucioneve të përbashkëta politike e ushtarake serbo-shqiptare.