Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, e ka akuzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, për mungesë të konsistencës në raport me temat që prekin Kosovën.
Ai ka shkruar në Facebook të enjten se armiku i Ramës është konstistenca, duke përmendur deklarimet e kundërta për raportin Kosovë-Serbi, “Ballkanin e Hapur”, kryeministrin Albin Kurti dhe Bashkimin Evropian.
“Armiku më i madh i Edi Ramës është konsistenca. Njëherë thotë Serbia është e mirë, pastaj thotë Serbia është e keqe. Njëherë thotë Ballkani i Hapur është i shkëlqyer, pastaj thotë është i vdekur. Njëherë thotë Albin Kurti është kokëfortë, pastaj thotë është në rrugën e drejt. Njëherë thotë nuk flas në emër të Kosovës, pastaj thotë jemi një. Njëherë thotë BE-ja është e mrekullueshme, pastaj thotë ‘ëhat the fuck’”, ka shkruar Shasha.
Për deklarimin e së enjtes të Ramës që tha se KFOR-i duhet ta kontrollojë veriun e Kosovës, për kreun e EPIK-ut, deklarimet e Ramës dallojnë në bazë të temës. Sipas Shashës, Rama e lexoi fjalimin të enjten, e fjalimet e lexuara, siç ka thënë ai, ndodhin “vetëm kur i servohen nga amerikanët”.
“Por ndoshta edhe këtë duhet t’ia falim Ramës. Konsistenca nuk është ana e fort e asnjë politikani. Çdo politikan manipulon pak, ose pak më shumë. Dhe në veçanti ndoshta duhet t’ia falim në temën e dialogut. Nëse keni vërejtur Rama sot ka lexuar fjalë për fjalë një fjalim që kishte para vetës. Ata që përcjellin Ramën e dinë që Rama kurrë nuk lexon fjalime. Ai lexon fjalime vetëm kur i servohen nga amerikanët. Prandaj, sot ndoshta keni parë Ramën, por keni dëgjuar amerikanët”, ka shtuar Shasha.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.