Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i prijnë dialogut Kosovë-Serbi.
Ajo ka thënë se marrëveshja e Ohrit nuk është “perfektë” për Kosovën.
Ka shtuar se marrëveshja ka disa të mira, “por i ka disa gjëra për të cilat i kam dyshimet e mija sesi do të zbatohen në praktikë”.
Osmani ka thënë se dyshimet janë te neni 7 dhe te neni 10.
Sipas saj, zgjidhja është që duhet ulur me SHBA-në për të përgatitur draftin e Republikës së Kosovës.
“Ne duhet ta prezantojmë para sekretarit të SHBA-së draftin tonë i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe letrën e Mogherinit që garanton që nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan i cili sqaron se do të jetë vetëm trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, ka thënë ajo.
Osmani për Listën Serbe: Po i bëjmë analizat ligjore, do merren masa që parashihen me ligj
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar sjelljen e Listës Serbe pas sulmit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vdekur një polic e u lënduan tre të tjerë.
Ajo ka thënë se Lista Serbe në vend që të distancohej nga këto veprime të cilat janë kundër interesave të të gjithë qytetarëve, ata janë pjesë e sulmeve të tilla.
“Ne si institucione jemi duke bërë të gjitha analizat ligjore, do të kemi një takim të përbashkët edhe me kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe zëvendëskryeministren për t’i diskutuar të gjitha këto çështje gjatë orëve në vijim dhe natyrisht gjithçka që parashihet me ligj do të jenë masa që do të ndermirën”, ka thënë ajo në një intervistë për televizionin publik.