Trajtimi dhe terapia e foshnjës 10-muajshe, prej majit peng i procedurave administrative
Një foshnjë dhjetëmuajshe që nga muaji maj, prej kur ka bërë një analizë gjenetike në Turqi, ende nuk ka pranuar rezultatin e saj. Prindërit ngrenë shqetësimin për gjendjen shëndetësore të vajzës së tyre, pasi thonë se mjekët në Kosovë nuk mund t’i caktojnë terapi derisa të pranojnë dhe t’i lexojnë gjetjet e analizës. Ata thonë se rezultati ka mbetur peng i moskryerjes së pagesave nga ana e Fondit për Sigurime Shëndetësore ndaj spitalit turk. E në Fond lënë përgjegjës spitalin për mangësi në faturën e lëshuar.
Foshnja dhjetëmuajshe A.B. qe katër muaj është në pritje të rezultatit të analizës gjenetike që e kreu në fund të majit në Turqi.
Që nga atëherë diagnostikimi i saktë, trajtimi dhe terapia e vajzës kanë mbetur peng i mungesës së rezultatit të analizës që nuk iu kumtua ende prindërve pa u kryer pagesa prej 3 mijë e 500 euro ndaj spitalit turk nga Fondi për Sigurime Shëndetësore.
Për shkak të dyshimeve se ajo vuan nga një sëmundje e trashëguar në të cilën kockat thyhen lehtë, ajo u referua nga QKUK-ja më 7 mars të këtij viti për të kryer jashtë vendit analizën gjenetike Ostegenesis Imperfecta.
“Unë kam qenë pas vizitës të Turqisë për fizioterapi për me i bo çikës, kam qenë te doktoresha. Ajo më tha nuk guxoj pa ardhur analiza gjenetike, nuk guxon këtë çikë me prek askush me dorë. Edhe kontrollet kur të shkoj me ia ba nuk guxojnë, apo kupton? Se pa i dalë analiza gjenetike nuk guxojnë çka të duash me i dhanë. Qetash kur e pata edhe te doktoresha e gjenetikës një raport me e lexu, ata nuk na e kanë dhanë raportin kryesor për me e lexu ajo. Ajo e kërkojke analizën gjenetike për me e lexu. Ajo e kontrolloi. Tjetra doktoreshë e kontrolloi a po ulet a jo. Kjo as nuk ulet, veç shtritë, shtritë”, tha Sadije Bajrami, nëna e foshnjës.
E babai i foshnjës, Bekim Bajrami, tregon për komunikimin që ka zhvilluar prej atëherë me spitalin në Turqi dhe Fondin në Kosovë.
“Kanë thanë nuk ki nevojë më me ardhë se nana e bën pa pagesën, pse po mundohesh ti. Kur thirrke në Turqi na thojshin nuk ka dalë pagesa. Atëherë na kanë drejtuar te fondi i pagesës, fondi i pagesës, …. Tu na thanë që paret kanë dalë, por janë kthyer njëherë se është bo një gabim. D.m.th. Turqia ia gjuajke fajin Kosovës, Kosova po ia gjuan Turqisë....Nuk kemi çka me ba, s’di çka të thojmë, është në pushim ajo kryesorja që i qet paret, si ka mundësi me qenë në pushim kur nuk ka zëvendës me i transferu. Sa të vonohet ajo analizë për vajzën tonë është shumë keq. Për shkak se vajza ka marrë një kah, një zhvillim tjetër. Këta nuk po guxojnë me e shti në terapi”, tha Bekimi.
Në Fondin për Sigurime Shëndetësore thanë se kanë proceduar me pagesën, mirëpo për shkak të disa mangësive në faturën e lëshuar nga Spitali pagesa në fjalë nuk ka mundur të realizohej.
“Pas njoftimit të marrë Fondi ka kontaktuar Spitalin, ku pacientja ka marrë shërbimin dhe ka kërkuar përmirësimin e të dhënave në faturë nga ana e spitalit, me ç ‘rast pas pranimit të të dhënave përkatëse Fondi ka riproceduar për pagesë lëndën në fjalë dhe e njëjta do të realizohet së shpejti!....Nga Thesari i Shtetit më datë 7. 6. 2023 jemi njoftuar se pagesa nuk është realizuar. Spitali në fjalë ka dërguar të dhënat më datë 26. 7. 2023. Ndërkohë nga spitali janë kërkuar të dhëna shtesë për arsye se jo vetëm për këtë rast nuk ka mundur të realizohej pagesa, por ka pasur edhe raste të tjera nga ky spital, ku për shkak të mungesës së të dhënave të sakta financiare na janë kthyer pagesat. Riprocedimi i pagesës është bërë këtë javë”, tha Bujar Kaçuri, zv.drejtor i Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Lidhur me rastin KOHA ka dërguar pyetje në adresën zyrtare të spitalit “Biruni”.
Pas kësaj përmes emailit është paraqitur përgjegjësi i spitalit për rajonin e Ballkanit, Adem Dida, i cili zyrtarisht nuk u është përgjigjur pyetjeve të adresuara, e përmes një bisede telefonike ka mohuar të kenë qenë pengesë të dhënat e gabuara financiare.
KOHA ka provuar të kontaktojë edhe me mjekë të klinikave të QKUK-së, në të cilat është trajtuar foshnja deri më tani, për t’i pyetur për ndikimin që mund të ketë vonesa deri në katër muaj e një rezultati të analizës në trajtimin e pacientes, por ata nuk kanë dashur të flisnin për këtë.