Arbëri

Rohde: Sulmi kriminal ndaj policëve të Kosovës nënvizon nevojën për vazhdim të dialogut

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde / Foto: KOHA

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se sulmi kriminal ndaj policëve të Kosovës në Banjskë të Zveçanit nënvizon nevojën për t’i vazhduar bisedimet e dialogut.

Ai këtë deklaratë e ka bërë derisa ka shpërndarë një postim në Twitter të emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak i cili është takuar me këshilltarët e lartë të krerëve të Francës, Gjermanisë e Italisë, me pjesëmarrjen e të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.

“Sulmi i tmerrshëm kriminal dhe terrorist i së dielës kundër oficerëve të zbatimit të ligjit në Kosovë nënvizon nevojën urgjente për të vazhduar bisedimet e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit tani”, ka thënë ai.

Burimet e BE-së kanë paralajmëruar se në ditët në vijim, i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, planifikon t’i vizitojë Kosovën dhe Serbinë, por aranzhimet për këtë vizitë s’janë dakorduar akoma dhe janë në përgatitje e sipër.

Në orët e para të mëngjesit të së dielës në Banjskë të Zveçanit nga sulmues serbë është vrarë një polic e janë plagosur tre, një prej tyre me armë zjarri. Të vdekur kanë mbetur edhe tre sulmues serbë. Aktualisht gjashtë persona janë arrestuar, njërit prej tyre i është caktuar paraburgimi prej një muaji.