Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka kërkuar nga vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që së shpejti ta njohin kontributin e Kosovës për një komunitet global më të drejtë, më paqësor dhe t'i japin vendit njohjen që meriton.
Begaj ka thënë se rindërtimi i besimit dhe rindezja e solidaritetit global është më shumë se kurrë një domosdoshmëri për pajtim, mirëkuptim dhe më shumë bashkëpunim, pasi është e vetmja mënyrë se si mund të përballemi me sfidat e sotme të përbashkëta dhe globale, që nuk po prekin vetëm të tashmen, por po rrezikojnë edhe të ardhmen e brezave që do të vijnë.
Sipas tij, gjithçka duhet të fillojë duke vlerësuar rajonet dhe vendet bazuar më së shumti në kontributet sesa në dështimet e tyre.
“Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova kanë mbrojtur vazhdimisht paqen mbi tensionet dhe konfliktet, dhe ne mbetemi të përkushtuar në këtë rrugë. Shpresojmë të njihen kontributet tona dhe të mos lejojmë që përpjekjet që bëjmë të errësohen nga qasjet negative. Në këtë kontekst, Shqipëria mbështet dialogun e vështirë, që po vijon midis Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga ndërmjetësimi i kujdesshëm i Bashkimit Evropian dhe mbështetja e fortë e Shteteve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë, Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj integritetit dhe prosperitetit të Kosovës”, ka thënë ai.
Begaj ka theksuar se të drejtat e serbëve në Kosovë pasqyrojnë normat dhe vlerat evropiane, e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për pakicën shqiptare në Luginën e Preshevës.
“Kosova ia ka arritur të shërojë shumë plagë të thella nga e kaluara tragjike. Të drejtat e serbëve në Kosovë pasqyrojnë normat dhe vlerat evropiane, e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për pakicën shqiptare në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë. Fatkeqësisht, ne mbetemi ende të shqetësuar për bërjen jo aktive të adresave të tyre të banimit dhe mungesën e investimeve të konsiderueshme, si dhe stimujve ekonomikë në atë rajon. Kosova ka dëshmuar se dhimbja nuk ka nevojë të lindë armiqësi; ajo duhet të përkthehet në mirëkuptim dhe mbështetje. Gjithsesi Kosova është ende në pritje të njohjes së pavarësisë së saj nga shumë vende. Shpresoj që këto vende së shpejti do ta njohin kontributin e Kosovës për një komunitet global më të drejtë, më paqësor dhe do t'i japin Kosovës njohjen që meriton. Njiheni pavarësinë e Kosovës”, ka thënë tutje ai.
Begaj ka shtuar se pushtimi rus i Ukrainës, është luftë absurde dhe keqdashëse që ka prekur drejtpërdrejtë dhe tërthorazi dimensione të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm, jo vetëm për Ukrainën dhe rajonin, por për të gjithë globin./KP