4 perditesime
21:13

Gjinovci: SHBA-ja s’e do Kosovën, ka interesa dhe ne duhet ta luajmë këtë lojë

Aktivisti Rron Gjinovci ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë interes nga Kosova e Serbia, e në këtë situatë, sipas tij, Kosova duhet të përfitojë dhe “ta luajë atë lojë”.

Ai ka thënë të enjten në Konfrontin e KTV-së se Kosova e SHBA-ja s’mund të kenë besnikëri të përjetshme pasi siç tha ai, kjo nuk është e mundur në asnjë shtet të botës.

“SHBA-ja ka interesa me Kosovën dhe Serbinë. S’ka besnikëri të përjetshme...Sa më shumë që ëndërroni aq më keq do t’i kemi punët. Amerika nuk është që e do Kosovën, ka interesa prej nesh dhe ne duhet të luajmë atë lojë”, ka thënë Gjinovci.

Ai është shprehur se opozita po i kërkon Qeverisë Kurti të lëshojë pe në raport me Serbinë, e kjo sipas tij është veprim i gabuar.

“Ne e kritikojmë Qeverinë tonë pse nuk lëshon më tepër pe me Serbinë. Opozita tek po i thotë pse nuk po lëshon pe, kjo është absurd”, ka potencuar Gjinovci.

Sipas tij, shkuarja e presidentes Vjosa Osmani në SHBA do të jetë mundësi që t’i informojë ndërkombëtarët për arritjen e marrëveshjes, në mënyrë që siç ka thënë Gjinovci, Serbia të mos e pengojë Kosovë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Ndërsa, analisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk po e shfrytëzon situatën për e krijuar për të investuar në komunat verore.

“A ka një program Ministria e Kulturës për faktin që policia e kontrollon situatën në veri...A e ka kapitalizuar Ministria e Infrastrukturës ndonjë rrugë nga Zveçani në Mitrovicë. Qeveria të ishte e angazhuar të integronte komunitetin serb në shoqërinë kosovare. Nuk duhet t’i lihet vullnetit e trimërisë, por të jetë qëndrim uniform i qeverisë”, është shprehur ai.

20:44

Sopi: BE-ja po ballkanizohet, Kosova t’i rregullojë raportet

Image

Analisti Agim Sopi ka deklaruar se Kosova duhet t’i shkrijë raportet me Bashkimin Evropian e t’i rregullojë marrëdhëniet, drejt rrugës evropiane.

Sipas Sopit, Bashkimi Evropian s’ka qenë i gatshëm të evropianizojë Ballkanin, e me këtë rast, sipas tij, BE-ja po ballkanizohet.

“Serbia ka marrë obligim për shpërbërje të strukturave paralele e se ka bërë...S’ka qenë i gatshëm të evropianizojë Ballkanin, e tash Bashkimi Evropian po ballkanizohet. Regjimet autoritare janë rritur nga 51 në 82 për qind, po shkojmë drejt një bote totalitare, bota po bëhet me errët”, ka deklaruar ai.

Sipas Sopit, Kosova duhet të shohë rrugën drejt BE-së “e të mos shqetësohet për njohjen e Serbisë”.

20:39

Gjinovci: Nëse bëhet Asociacioni, s’ka garanci që situata do të bëhet më mirë

Image

Aktivisti Rron Gjinovci ka deklaruar se nëse do të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, nuk ka garanci nëse Kosova do ta ketë situatën më mirë.

Ai ka deklaruar të enjten se Kosova e ka të drejtën të insistojë për shtetin dhe Republikën, pasi sipas tij, kjo është forma e vetme për ta ruajtur sovranitetin.

“S’është marrëdhënie e mirë t’i bindeni atyre që ju sulmojnë. Lajçakun askush s’e ka sulmuar, asnjë analist s’e ka kundërshtuar Lajçakun... Problemi është që thonë se është sllovak nga Sllovakia, e Borrelli nga Spanja. Ata nuk janë njerëz vendimmarrës në BE. Ne kemi të drejtë të insistojmë të kemi shtetin dhe të vendosim për veten. Asociacioni e rrezikon shtetin e Kosovës, e në anën tjetër s’ka garanci që situata do të bëhet më mirë”, ka shtuar ai.

20:37

Spahiu: Kosova të insistojë që Asociacioni e njohja të bëhen në të njëjtën ditë

Image

Nuk është bërë kiameti që kryeministri Albin Kurti ka kritikuar ndërmjetësuesit në dialog, Josep Borrell e Miroslav Lajçak, ka thënë të enjten në “Konfront” analisti politik, Nexhmedin Spahiu. Sipas tij, propozimi i 14 shtatorit i ndërmjetësve në Bruksel ka qenë jokorrekt. Ai ka thënë se pala e Kosovës duhet të insistojë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe njohja nga Serbia të bëhen në të njëjtën ditë.

Propozimi i BE-së që Kosova ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e Serbia të lëvizë me hapa drejt njohjes de-facto, sipas Spahiut, është jokorrekt në aspektin kohor.

“Serbia duhet ta bëjë njohjen e Kosova autonomi më të madhe serbëve. Autonomia shpërfaqet përmes Asociacionit e njohja përmes hapjes së misioneve. Pse janë shmangur fjalët njohje dhe ambasada është për t’ia lehtësuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq, që para njerëzve të thjeshtë të kalojë më lehtë. Nëse dy shtetet e përmbushin këtë plan, edhe nëse Vuçiqi thotë qe po ju njohim s’ka çka të duhet kjo letër. Sepse kur i pranon letrat kredenciale të ambasadorit nga Kosova, e Kosova i pranon atij të Serbisë u krye muhabeti i njohjes”, ka thënë ai, megjithatë ka shtuar se “nuk ka garancë nga ndërkombëtarët se ky propozim mund të realizohet”.

Sipas tij, Kosova duhet të insistojë që Asociacioni dhe njohja të ndodhin në të njëjtën ditë, “që asnjëra palë të mos mund ta tradhtojë palën tjetër”.

“Propozimi i Lajçakut ka qenë jokorrekt. S’ishte fare paralel, pasi ishte që fillimisht të kryhen obligimet e Kosovës e kur e bën Asociacionin Serbia mund të thotë ngadalë se s’i kam kushtet për dialog dhe flini edhe 10 vjet e pastaj vëmë kushte të tjera”, ka shtuar ai.

Kjo qasje në dialog, sipas Spahiut, tregon “naivitetin e politikës së mëhershme”.

“Kur ajo skenë politike e ka pranuar planin Ahtisaarin, e Serbia e ka refuzuar, dhe kur ka shkuar me shpallje të njëanshme të pavarësisë është dashtë që pikat që s’i konvenojnë Kosovës t’i lërë për më vonë, por po kur të na njohë Serbia, e ato elemente do t’i kishim në pazar. Tash do të kërkohej futja e gjuhës si gjuhë zyrtare ose bëni decentralizimin e tash hajde kishim thënë çka po bëni ju. Por ne i kemi bë veresi”, ka thënë Spahiu.

Ai ka shtuar se “ndërmjetësit duhet të priten me parullat ‘s’ka veresi për Serbi’”.

20:20

Pula: Spektri politik të bashkohet për t’i bërë ballë Serbisë

Image

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, ka deklaruar se faktori shqiptar duhet të unifikohet në raport me Serbinë, pasi sipas tij, Kosova nuk duhet të bëjë gabime në dialog.

Ai ka deklaruar të enjten në Konfrontin e KTV-së se Kosova po çalon dhe ka një polarizim të brendshëm kundrejt Serbisë, pasi sipas tij, përçarja po e bën Kosovën të paqëndrueshme.

“I gjithë spektri të bashkohet dhe t’i bëjë ballë Serbisë e të tjerëve që duan të gjymtojnë Kosovën, ne duam të ndërtojmë republikën që e duam, e jo të tjerët. Ata (ndërkombëtarët) tentojnë t’i përmbushin detyrat sipas mandatit, e ne zhvillojmë jetën lehtësisht mund të rrëshqasim në gabime. Nëse në të kaluarën kemi bërë gabime, s’duhet të vazhdojmë t’i bëjmë ato gabime”, ka shtuar ai.