Arbëri

Lushaku: E frikshme sesi Kurti e përmend zhdukjen e opozitës

Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se diskursi i kryeministrit Albin Kurti, ku përmendet zhdukja e opozitës, është i frikshëm.

Sipas saj, një gjë e tillë mund të thuhet vetëm në sistemet totalitare.

Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Lushaku-Sadriu ka thënë se askush nuk i jep të drejtë Kurtit që ta vë në diskursin e tij një gjë të tillë, që sipas saj është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Është e frikshme nëse në diskursin e kryeministrit, arrin që nga goja e tij të përmendet fjala ‘zhdukje e opozitës’. Vetëm në sistemet totalitare një kryeministër mund ta imagjinojë një Kosovë ku nuk ekziston opozita. Kosova është vend i definuar me Kushtetutën e vet për një qeverisje demokratike dhe multipartiake. Nuk i jep askush të drejtë kryeministrit Kurti ta vë në diskursin e tij zhdukjen e opozitës dhe është komplet kundër kushtetutshmërisë sonë. Përtej kësaj ka një përgjegjësi shumë të madhe për të mos i polarizuar qytetarët”, ka thënë ajo.

Teksa ka folur për programin e LDK-së të bërë publikë ditë më parë nga kryetari Lumir Abdixhiku, Lushaku ka thënë se përveç përkrahjes me nga 5000 euro për familjet që e dëshirojnë fëmijën e tretë, do të shtohen edhe shtesat që fëmijët aktualisht marrin.

“Shumë familje që dëshirojnë ta kenë edhe një fëmijë të tretë nuk i kanë mundësitë dhe nuk e kanë pasur asnjëherë familjet me më shumë se dy fëmijë ndonjë mbështetje simbolike. Këso masa kanë marrë edhe vendet perëndimore, nuk është vendimi ynë i bërë për herë të parë, kemi menduar se është adekuat në rrethanat ku gjendemi. Ne do t’i heqim edhe taksat e produkteve bazike që janë për gratë edhe për fëmijët, jo vetëm fëmijët e tretë. Do t’i heqim taksat dhe do t’i shtojmë shtesat që i marrin”, është shprehur ajo.

E pyetur për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Lushaku ka thënë se me ardhjen në pushtet të LDK-së do të formohet por gjithnjë në harmoni me rekomandimet që ka dhënë Gjykata Kushtetuese me vendimin paraprak.