Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë vizituar të mërkurën Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, nga ku ka thënë se gjatë kësaj periudhe janë evidente rezultatet dhe kontributi i shtuar dhe ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë në përkrahje të plotë me qëllim të përmbushjes së objektivave në të ardhmen.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në këtë takim, krahas hartimit të statutit të ri të SHSKUK-së dhe QKUK-së që pritet të avancojë shërbimet shëndetësore, Kurti u njoftua rreth punës në drejtim të përmirësimeve të shërbimeve shëndetësore për qytetarët, projekteve të reja të cilat planifikohen të realizohen sa i përket ndërtimit dhe renovimit të disa klinikave brenda QKUK-së, si dhe investimeve në spitalet e përgjithshme regjionale me qëllim të rritjes së performancës.
“Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi foli për ecurinë e realizimit të planit të Qeverisë në fushën e shëndetësisë dhe për transformimin infrastrukturor të disa klinikave që do të rrisin gamën e shërbimeve dhe do të përmirësojnë kushtet për qytetarët. Ai paraqiti një analizë të përgjithshme të gjendjes infrastrukturore, resurseve njerëzore dhe pajisjeve mjekësore në klinikat QKUK-së dhe në spitalet e përgjithshme”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se në këtë vizitë është diskutuar edhe për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar me ekspertë të jashtëm, sidomos në degët deficitare me qëllim të përfitimit nga përvoja e shteteve me sistem të avancuar shëndetësor.