Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një adresim për media në sallën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Neë York, ka thënë se do t’i kërkohet Rusisë që ta pranojë marrëveshjen për grurin.
Rama ka thënë se kjo mbledhje është shumë e rëndësishme në mbështetje të Ukrainës.
Sipas tij, t’i ndihmohet Ukrainës të vetëmbrohet jep garanci për ata që kërkojnë paqe dhe bashkëpunim, ndërsa paralajmëron ata që kërkojnë konflikte.
“Të ndihmosh Ukrainën sot të vetëmbrohet duke ndalur Rusinë sot, përçon mesazhin më të mirë dhe më të drejtë te gjithkush që mendon të angazhohet në një aventurë të ngjashme nesër. Jep garanci për ata që kërkojnë paqe dhe bashkëpunim, paralajmëron ata që ëndërrojnë konfliktin dhe përballjen, pasi nëse agresioni të kishte sukses do të çonte sinjalin e fundit të botës, fundin e pashkelshmërisë së kufijve”, ka thënë ai, raportoi "Euronews Albania".
Rama ka shtuar se në këtë mbledhje do i kërkohet Rusisë që të pranojë marrëveshjen për kalimin e grurit në Detin e Zi.
“Këtë takim ne do ta shfrytëzojmë për t’i bërë thirrje Rusisë për të rifilluar nismën e grurit të Detit të Zi për hir të atyre qindra milionëve që kërkojnë ndihmë për ushqim dhe për jetët e tyre nga kombet e bashkuara”, ka thënë Rama.