Çanak: Serbia nuk do marrëveshje, Perëndimi po e toleron për ta shkëputur nga ndikimi rus

Pa një pikë të qartë startuese, negociatat mes Kosovës e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve janë të kota, ka thënë ish-politikani serb, Nenad Çanak, gjatë një bisede për KOHËN. Sipas tij, thelbi i problemit është njohja e shtetit të Kosovës, teksa nuk pret ndryshim të qasjes në Beograd në një të ardhme të afërt. Çanak, i cili të hënën qëndroi në Kosovë bashkë me një grup aktivistësh nga Ukraina, ka folur edhe për ndikimin rus në Serbi, që, sipas tij, përbën arsyen kryesore pse Perëndimi gjithë presionin po ia bën palës kosovare
Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje me Kosovën, edhe pse nuk ka asnjë çështje që nuk do të mund të zgjidhej përmes dialogut, ka thënë ish-politikani i njohur serb Nenad Çanak, i cili pas dorëheqjes nga kreu i socialdemokratëve të Vojvodinës i është rikthyer shoqërisë civile. Duke folur për dështimin e takimit të fundit, Çanak thotë se aktualisht politika serbe po përjeton rritje të etno-nacionalizimit politik dhe ideve mikro imperialiste në pjesën lindore të Bosnjë-Hercegovinës, Mal të Zi dhe në veri të Kosovës.
“Për shkak të kësaj mendoj se të ashtuquajturat negociata janë të kota, sepse të arrihet marrëveshje kur nuk keni një pikë të qartë nisëse. Ka një shprehje që preferoj ta përdor në raste të tilla: është e pamundur ta zgjosh dikë i cili aktron sikur po fle. Pra, kur dikush nuk është duke fjetur por vetëm bëhet sikur, nuk mund ta zgjosh. E njëjta vlen edhe këtu. Nuk mund të bësh marrëveshje me dikë që nuk do marrëveshje. Sepse marrëveshja duhet të jetë mes dy shteteve sovrane. Në atë moment kur ka marrëveshje mes shteteve de facto, jo domosdoshmërisht de jure. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk ka dyshime në këtë. Kur flet me njerëzit në Serbi edhe politikanët që i njohin rrethanat privatisht të thonë se Kosova natyrisht që është e pavarur, por nuk mund ta pranojmë atë për arsye të ndryshme dhe të shumta”, ka thënë ish-themeluesi i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës”, ka theksuar Çanak.
