Arbëri

​Murati për ligjet në Kushtetuese: Po mbahen të bllokuara në emër të “interesit publik”

Hekuran Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka bërë të ditur tri ligjet që po shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese, të dërguara nga opozita, që sipas tij po mbahen të bllokuara “në emër të interesit publik”.

Murati ka thënë se këto janë Ligji për çmimet tavan, i dërguar në Kushtetuese nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Ligji për pagën minimale, i dërguar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Ligji për faljen e tatimit në pronë, i iniciuar në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Ligjet që po mbahen të bllokuara nga Gjykata Kushtetuese në emër të “interesit publik”: - Ligji për çmimet tavan (dërguar nga LDK) - Ligji për pagën minimale (dërguar nga AAK) - Ligji për faljen e tatimit në pronë (dërguar nga PDK)”, ka shkruar Murati në Facebook të dielën.

Në nëntorin e 2022-s, LDK-ja e kishte dërguar në Kushtetuese Ligjin për çmimet tavan, me arsyetimin se është kundërkushtetues.

“Vlerësimi ynë është se në tërësinë e tij ky dokument ose kjo nismë legjislative është antikushtetues, ne nuk e kundërshtojmë vetëm në nene të caktuar por në tërësinë e ve, sepse jemi të bindur që kjo iniciativë paraqet një ndërhyrje arbitrare në vlerat e ekonomisë së tregut”, ishte shprehur deputeti i kësaj partie, Driton Selmanaj.

Më 21 korrik të sivjetmë, AAK-ja e quante të dëmshëm Ligjin për pagën minimale, duke e dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërsa, Gjykata Kushtetuese e kishte pezulluar nenin që parasheh faljen e 100 eurove të Ligjit për faljen e tatimit në pronë. Zbatimi i tij është shtyrë deri më 30 nëntor 2023.