Procesi i zbatimit të marrëveshjes për normalizim raportesh në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të nisë sivjet, përndryshe do të dështojnë përpjekjet shumëvjeçare, ka thënë emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë për “TASR” në Sllovaki.
Ai e ka quajtur të vështirë takimin e së enjtes në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Propozimin e Kurtit e ka quajtur jorealist.
“Kurti insiston në një dokument që de facto starton me njohjen nga Beogradi dhe më pas të bëjë pjesën e tij, gjë që sigurisht nuk është rrugë realiste përpara”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se në shtator do të bëjë përpjekje që të sigurojë një përgjigje të koordinuar të komunitetit ndërkombëtar për raportet Kosovë-Serbi.
Lajçaku ka shtuar se “është kyçe” që implementimi i marrëveshjes për normalizim raportesh të nisë sivjet, dhe që të vazhdojë vitin e ardhshëm.
“Nëse këto vendime fundamentale nuk bëhen deri në fund të vitit, kam drojë se kalendari politik në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë i tillë që do ta shtyjë në plan të dytë këtë agjendë. Jam i bindur që Marrëveshja e Ohrit është dokumenti më i mirë. Të dyja palët e kanë pranuar dhe do të ishte e turpshme të prishej”, ka thënë ai, duke shtuar se pret që nëse ndodh ky dështim, në veri mund të ketë “më shumë tensione e ndoshta edhe dhunë”.
Ai e ka quajtur arritjen e marrëveshjeve në shkurt e mars si “pikë kthese” në dialog. Megjithatë, është ankuar për mungesë të nisjes së zbatimit. E ka përshkruar situatën me fjalët se “të dyja palët kanë shkallë të lartë mosbesimi në tjetrën”.
“Thonë, më jep atë që meritoj dhe më pas do të bëj atë që është e domosdoshme”, ka shtuar Lajçak. Ka thënë se kjo metodë nuk funksionon dhe se për këtë BE-ja ka propozuar një plan shtatëpikësh paralel. “Për shembull, që Prishtina të nisë negocimin e garancive për serbët në veri të Kosovës dhe që Beogradi të nisë gradualisht përmbushjen e obligimeve të veta”, ka shpjeguar ai.
Sipas tij, ky propozim “është transparent dhe i matshëm”. “Mund të ndalet kurdo që njëra palë ndal përmbushjen e obligimeve të veta”, ka shtuar ai.
Dallime të mëdha për rrugën drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve kanë shfaqur të enjten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel. Ndërmjetësi i takimit, shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Joseph Borrell, e ka fajësuar Kurtin se ka insistuar në njohjen reciproke, duke mos e pranuar propozimin e tij që palët të nisin paralelisht zbatimin e kërkesave. E Kurti ka deklaruar se kushtëzimi i Serbisë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe tashmë është shndërruar në qëndrime të emisarëve Borrell dhe Lajçak.