Lojërat Mesdhetare ndezin shkëndija politike mes Kosovës e Serbisë
Në Komitetin Olimpik të Serbisë kanë theksuar se ishte i ndikuar politikisht vendimi i marrë të premten që Prishtina të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030. E zyrtarë të Presidencës së Kosovës janë tallur me të dhe kanë ironizuar me një tekst luftënxitës të një slogani nacionalist serb
Ka nxitur përplasje në distancë midis autoriteteve në Kosovë dhe atyre në Serbi vendimi i një dite më parë i Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, që Prishtina të jetë nikoqire e lojërave për vitin 2030.
Komiteti Olimpik i Serbisë e ka vlerësuar këtë vendimi si skandaloz dhe në reagim ka përmendur edhe prezencën e kryeministrit Albin Kurti në mbledhjen e Asamblesë, duke thënë se kjo përbën ndërhyrje politike.
Blerim Vela, shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur Komitetit Olimpik të Serbisë, duke ironizuar me një tekst të një slogani nacionalist, i cili është shfaqur në Serbi kundër Kosovës: “Kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë”.
“Më duket se ka më shumë kuptim të thuhet: Kur atletët serbë garojnë në Lojërat Mesdhetare në Kosovë, në vend të vajtimit shovinist për luftë që spërkatet me ngjyrë përreth Serbisë!”, ka shkruar Vela në Twitter.
E, në komitetin Olimpik të Kosovës nuk kanë folur për politikë, një ditë pasi që Prishtina e fitoi kandidaturën për organizimin e Lojërave Mesdhetare. Sekretari i përgjithshëm i këtij komiteti, Besim Aliti, ka thënë se kjo vendimmarrje përbën fitore historike.
“Ia kemi dëshmuar gjithë botës se jemi një shtet i fuqishëm në sport dhe i gatshëm për të qenë organizator i një ngjarjeje multisportive. Kjo është më të vërtetë e rëndësishme, sepse fuqinë e një Komiteti Olimpik apo një organizate sportive e tregon pikërisht gatishmëria, mbështetja e organeve qeveritare për ta organizuar një ngjarje multisportive”, ka theksuar Aliti.
Në vitin 2030, në Kosovë do të garojnë mbi 3.000 sportistë nga 21 shtete mesdhetare. Kjo do të jetë ngjarja më e madhe e organizuar në Kosovë deri më tani dhe brenda gjashtë vjetësh pritet që të investohen mbi 250 milionë euro në infrastrukturë sportive, për qëllim të zhvillimit të kësaj ngjarjeje.
Vendimi që Kosova të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare më 2030 u mor të premten nga Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar, të mbajtur në Heraklion të Greqisë.
Kandidatura e Kosovës është prezantuar nga kryeministri Kurti, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, dhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Aliti.
Kandidatura e Kosovës mori përkrahje edhe nga Shqipëria, ku do të mbahen disa prej ngjarjeve.